Operacioni Forca e Ligjit/ Tronditje deri në palcë krimit të organizuar

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ “E di shumë mirë që e kemi jo shqetësuar, po e kemi tronditur krimin e organizuar në palcë me ofensivën e Operacionit Forca e Ligjit”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij ku nënvizoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka një prej vendimeve që ky parlament do të marr sot që lidhet me paketën anti KÇK.

“E di shumë mirë që krimi i organizuar dhe burimi i tij financiar janë investuar për të krijuar sa më shumë, sa më shumë keqkuptim dhe mjegull. E di shumë mirë që në studiot televizive ka njerëz të paguar nga krimi i organizuar për të bërë avokatin e krimit të organizuar, duke folur në një formë që është e paperceptueshme, për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, e kanë kthyer gjakun e të pafajshmëve në rrugët e Shqipërisë për 30 vjet në para, për njerëz që kanë shfrytëzuar barbarisht vajza të familjeve të varfra dhe të familjeve të zakonshme për ti çuar në rrugët e prostitucionit, duke bërë para me nderin dhe jetën e tyre, për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve duke futur drogë dhe që kanë marrë pjesë intensivisht në rrjetin e krimit të organizuar ndërkombëtar duke transportuar drogë lart e poshtë dhe që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare apo deri edhe tek drejtësia e lodhur shqiptare për vepra të këtyre niveleve”, – nënvizoi Rama.

Për njerëz, vijoi Rama, që kanë njollosur në vijimësi Shqipërinë dhe kanë njollosur në vijimësi të gjithë politikanët shqiptarë, ku në asnjë mënyrë, kurrë nuk kam për ta pranuar dhe s’mund ta pranojmë që jemi të gjithë njësoj, natyrisht ka pasur dhe ka politikanë të lidhur me krimin, por janë pikërisht ata që janë të lidhur me krimin që flasin më shumë se si krimi është lidhur me politikën.

“Ofensiva që ne po bëjmë nuk është një lojë, nuk është as një nga aksionet e radhës, por është një operacion që e fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar duke e goditur atë që krimi i organizuar e ka të shenjtë pasurinë. Çuarja në burg e këtyre njerëzve është njësoj si çuarja për studime pasuniversitare jashtë shtetit e profesorëve. Në burg këta njerëz vazhdojnë, jo këtu po kudo, me veprimtaritë e tyre dhe kalojnë në sallën e regjisë të mbrojtur nga muret e shtetit të ushqyer nga shtetit dhe duke përfituar nga lidhje të gjithhershme kudo që nga SHBA, Europë edhe në Shqipëri brenda për brenda sistemit të burgjeve për të pasur komunikim normal dhe për të drejtuar nga burgu operacionet fitimprurëse”, – theksoi Rama duke shtuar se burgu për këta nuk mjafton këta duhen zhveshur nga pasuria e paligjshme.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Operacioni Forca e Ligjit do të bëjë pikërisht këtë, do të zhveshë nga pasuria e paligjshme ajo e deklaruara dhe do t’ua bëjë të pamundur të riciklojë pasurinë e padeklaruar që patjetër është më e madhe se ajo e deklaruar”.

“Do t’ua bëjë të pamundur që me makina sfiduese të vërtiten lart e poshtë duke i bërë karshillëk shtetit dhe komunitetit”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.