Manja: Ndryshimet në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë një standard më i fortë se Vetingu

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja u shpreh sot se, ndryshimet në ligjet “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, synojnë të rregullojnë të njëjtën fushë veprimi në sistemin e drejtësisë.

Ndryshimet në projektligjin e parë, tha Manja gjatë fjalës së tij në Kuvend, vijnë nga nevoja që ka lindur për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, (që është një nga ligjet e ndryshuara nga Reforma në Drejtësi) nuk kemi parashikuar mekanizmin e zhbllokimit në rastin e bllokimit të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Është faza e zgjedhjes së një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, një fazë e veçantë juridike, por që fillimi i ushtrimit të detyrës së një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur sipas ligjit lidhet me bërjen e betimit te Presidenti i Republikës. Në rastet kur Presidenti refuzon të ushtrojë këtë kompetencë ligjore, ligj ka parashikuar si mekanizëm zhbllokimi betimin e gjykatësve të zgjedhur apo të emëruar të Gjykatës Kushtetuese me shkrim. Dhe data e firmosjes së betimit me shkrim dhe dërgimit pranë Presidentit të Republikës, do të konsiderohet si datë e  fillimit të ushtrimit të detyrës”- tha Manja.

Ai shpjegoi se, ky është ndryshimi që parashikojmë te pr/ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ndërsa në pr.ligjin e dytë “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, parashikohen tre ndryshime.

Sipas tij, e para ka të bëjë me plotësimin e një boshllëku ligjor lidhur me shtesën e pagës për vështirësi, për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion që është SPAKU dhe në ligjin aktual ndonëse thuhet se do të ketë fond shtesë për shkak të vështirësisë së profesionit, nuk është përcaktuar masa. Sot ne ju propozojmë që të plotësohet ky boshllëk ligjor dhe anëtarët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion të kenë një shtesë vështirësie prej 60% të pagës bruto.

Ndryshimi i dytë, vijoi ai, ka të bëjë me ndryshimin e formulës së betimit, për Prokurorin e Përgjithshëm, prokurorët e SPAK dhe magjistratët në përgjithësi. “Është e njëjta procedurë zhbllokimi, kur refuzohet të kryhet betimi dhe data e fillimit të ushtrimit të detyrës së tyre, në këto raste është data e firmosjes së betimit dhe dërgimi pranë institucionit përkatës”, – tha Manja.

Ai theksoi se, ndryshimi i tretë edhe më i rëndësishëm, ka të bëjë me pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ‘veçantë’, ndryshe nga ç’e parashikon ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rastet kur prokurorët dhe gjyqtarët diskretitojnë rëndë figurën e magjistratit në publik dhe cenojnë besimin e publikut tek drejtësia e re.

“Reforma në Drejtësi ka hyrë në fazën e zbatimit dhe qytetarët presin produktin nga drejtësia e re. Presin që kriminelët të dënohen, me një prokurë normale ky proces shkon deri në 12 muaj. Në një kohë që qytetarët duan të dinë që këto gjyqtarë e prokurorë të implikuar që sot diskretitojnë rëndë figurën e magjistratit në publik, janë në zyrë apo të pezulluar. Këto qjyqtarë që kanë liruar kriminelë të botë së krimit, ku janë?!” – tha Manja.

Në këto kushte, shpjegoi ai, ndryshimi që ne propozojmë i jep të drejtën ILD që brenda tri ditëve, me kërkesë të arsyetuar, t’i kërkojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor pezullimin e menjëhershëm të tyre. Dhe këshillat duhet të marrin në konsideratë këtë kërkesë të ILD-së. Përpos kësaj, vijoi Manja, ligji i jep të drejtë institucioneve që të fillojë hetimin mbi pasurinë dhe kur gjendet shkelje ILD brenda kompetencave do të bëjë kallëzim në SPAK.

“Ndryshimet që paraqesim janë një standard më i fortë se Vetingu”, – tha ai. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.