Tirana, modeli që udhëheq shqiptarët drejt demokracisë, shoqërive perëndimore dhe aleancës euroatlantike

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Presidenti Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historiko-kulturore dhe simpoziumin shkencor e titulluar “Tirana – Një shekull kryeqytet”, që u organizua në Teatrin Kombëtar nga shoqata “Tirana Intellectum” në bashkëpunim me shoqatën “Bashkësia Dibrane”.

Me rastin e 100-vjetorit të Tiranës si kryeqytet, Presidenti i Republikës vlerësoi (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Kryetarin e parë të bashkisë së Tiranës Kryeqytet, Ismail Ndroqi (pas vdekjes), si dhe  rilindasin e shquar Said Sermedin Toptanin.

Gjithashtu Kreu i Shtetit vlerësoi me titullin “Naim Frashëri”, humanisten e njohur tiranase Hatixhe Skënderi, me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtaren simbol të këngës tiranase Hafsa Zyberi (pas vdekjes), si me Titullin “Për Merita të Veçanta” atdhetarin dhe mësuesin e shquar Ethem Tabaku (pas vdekjes).

Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” u nderua studiuesi dhe historiani i njohur tiranas, Gazmend Bakiu, libri i të cilit “Tirana e vjetër” u përurua gjatë veprimtarisë përkujtimore historiko-kulturore.

Pasi ndoqi koncertin festiv, si dhe dokumentarin kushtuar Tiranës, Presidenti i Republikës në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, vuri në dukje se “sot është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, Shqipërisë dhe për mbarë kombin shqiptar. 11 Shkurti është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është dita e inaugurimit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë”.

“Edhe pse kanë kaluar njëqind vjet nga 11 shkurti i vitit 1920, koha vërtetoi se vendimi historik i Kongresit të Lushnjës për caktimin e Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë ka qenë një nga vendimet më të mençura dhe vendimtare për shtetformimin tonë. Në këtë përvjetor gjej rastin të përkulem me nderim të thellë për gjithë atdhetarët e shquar të Tiranës të asaj kohe, për të gjithë Këshillin bashkiak të qytetit të asaj kohe, për kryetarin e nderuar të bashkisë Ismail Ndroqi si dhe gjithë familjet tiranase që e mirëpritën dhe hapën dyert dhe zemrat për ta shndërruar qytetin e tyre në kryeqytet të të gjithë shqiptarëve”, – tha Meta.

Sipas tij, Tirana ia ka dalë me sukses të jetë epiqendra e jetës politike, shoqërore, ekonomike, kulturore dhe sportive të vendit, si dhe të luajë me sukses rolin promotor të gjithë shoqërisë sonë.

“Qyteti dikur i vogël, me arkitekturë modeste është shndërruar tashmë në metropolin ambicioz dhe qendrën më të madhe ekonomike, administrative, politike, universitare, mediatike, sociale dhe kulturore të vendit. Përgjatë një shekulli Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset, dështimet dhe sfidat e përparimit janë të lidhura me arritjet e mbarë vendit. Kryeqyteti shqiptar hodhi shtat mbi trashëgiminë e një komuniteti vendas mjaft njerëzor, atdhetar dhe me vlera qytetare të arrira”, – nënvizoi Meta duke shtuar se traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin tipare që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një ansambël kulturor të larmishëm dhe harmonik.

/k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.