Pasojat e tërmetit në trashëgiminë kulturore/ Margariti: Dëmet 5.75 milionë euro, 23 objekte me risk të lartë

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Komisioni parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës, Elva Margariti, për çështjet që lidhen me qendrat e trashëgimisë kulturore dhe muzetë e dëmtuar, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ministrja Margariti raportoi se grupet teknike të ministrisë ishin të angazhuara që në orët e para të mëngjesit të datës 26 nëntor, për të raportuar për vlerësimin e gjendjes së objekteve me status monumente kulture: banesa, fortifikime, objekte kulti, vepra inxhinierike etj., si edhe koleksione në të gjithë vendin.

Ministrja shtoi se në zonën e prekur nga fatkeqësia (qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë), listohen gjithsej 54 298 objekte të luajtshme, 32 368 ndodhen në muze dhe depo.

Ministrja tha se se pati një vlerësim të shpejtë dhe vizual në objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe për këtë vlerësim u përdor “Formulari për vlerësimin e dëmtimit në trashëgimi kulturore”.

Për objektet që patën paraqitur problematika të konsiderueshme, ministrja Margariti u shpreh se grupet teknike kanë bashkëpunuar me Institutin e Ndërtimit, Shërbimin Gjeologjik Shqiptar dhe bashkitë respektive në momentin më të parë.

Sipas të dhënave të parashtruara nga ministrja Margariti, rezultatet nga inspektimet përgjatë periudhës 26 nëntor 2019 – 12 janar 2020 janë: Zona e administruar nga DRKK Durrës dhe DRKK Shkodër rezultojnë si zonat më të prekura nga tërmeti. Në total janë 260 objekte të inspektuara imtësisht, nga të cilat 111 objekte gjenden në zonën më të prekur. Nga inspektimi janë klasifikuar si vijon: 23 objekte me risk të lartë, 30 objekte pjesërisht të papërdorshme, 48 objekte pa rrezik. Vlera e përllogaritur e efektit të tërmetit, humbje dhe dëm në trashëgimi kulturore është 707,58 milionë lekë ose 5,75 milionë euro.

Gjithashtu ministrja Margariti në fjalën e saj listoi dhe masat e menjëhershme të marra nga institucioni i saj. Ajo listoi pesë hapa: (1) Informimi i komunitetit për zonat që paraqesin rrezikshmëri; mbyllja e muzeve dhe siteve me vizitorë; (2) puntelim, çmontim dhe riparim për zonat që paraqesin rrezikshmëri; (3) rivelim, studim dhe hartim projektesh të vënies në siguri për zonat që paraqesin rrezikshmëri; (4) kërkesa për bashkëpunime dhe mbështetje; (5) përgatitja e raportit të detajuar për sektorin e kulturës në kuadër të PDNA 2020.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.