Paketa Anti KÇK/ Shameti: Mekanizëm në përkrahje të veprimtarisë së SPAK-ut

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti gjatë një interviste televizive duke folur mbi paketën Anti KÇK theksoi se është një mekanizëm në përkrahje të veprimtarisë së SPAK-ut deri në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Përmes këtij akti normativ as nuk po i merren kompetencat SPAK-ut, as nuk ka mbivendosje ligjore dhe aq më shumë të mendohet që ka shkelje të të drejtave të individit. Ky akt normativ është thjesht një mekanizëm në përkrahje të veprimtarisë së SPAK-ut deri në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit”-, tha Shameti.

Ai shtoi se, “ky akt normativ ka fuqinë e ligjit brenda një afati të përcaktuar është i detyruar të vij në parlamenti dhe parlamenti ta miratoj atë. Ndryshimi i vetëm është, në një ligj që mund të vij si iniciativë e qeverisë ne si komision ligjesh dhe si parlament mund të bëjmë ndryshime tek akti normativ o kalon ose nuk kalon, domethënë o kalon në bllok ose jo”.

Shameti theksoi se, “fryma e Reformës në Drejtësi ka qenë riformatimi i organeve të drejtësisë dhe bërja efektive e luftës ndaj krimit të organizuar. Sot është e rëndësishme të themi që SPAK-u është operativ, nuk është krijuar ende Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo byro është ‘leva’ që do të përdor SPAK për të bërë punën e vet në terren. Në mungesë ngritjes se Byrosë Kombëtare të Hetimit i cili është një proces i cili do të marr për fat të keq dhe disa muaj, ky akt normativ është gjetur si mënyra më efektive dhe përfshirja e Policisë së Shtetit si ‘leva’ kryesore në ndihmë dhe mbështetje të SPAK-ut”.

“Ky akt normativ nuk është shpikje e jona. Të shkosh mbas parave të krimit, pra po godite këto para e demotivon një kriminel apo një grup kriminal të bëj të njëjtën veprimtari. Akti normativ nuk ka të bëj me fillimin e ndjekjes penale për persona të caktuar. Akti normativ nuk bën gjë tjetër vetëm përcakton subjektet të cilët do goditen përmes këtij akti dhe goditja nuk është penale po është civile”-, u shpreh Shameti.

“Për gjithë ata persona që janë dënuar jashtë vendit apo brenda  vendi per vepra të rënda penale, në bazë të këtij akti ju lind detyrimi që përmes hetimit  paraprak që do të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë t’i identifikohen pasuritë kriminale dhe t’u kërkojnë këtyre personave civilisht që brenda një afati të caktuar të justifikojnë të ardhurat dhe pronat”-, përfundoi Shameti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.