Nis faza e rindërtimit në Vorë, Balluku dhe Margariti inspektojnë zonat ku do të ndërtohen lagjet e reja

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/  Në bashkinë e Vorës ka nisur puna për hartimin e projektit të rindërtimit, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Pas përcaktimit të zonave, ku do të ngrihen godinat e reja, puna pritet të nisë fillimisht me shembjen e ndërtesave të dëmtuara dhe pastrimin e zonës, për ta vendosur më pas në dispozicion të grupit të planifikimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe zëvendësministrat Artan Shkreli e Hantin Bonati, inspektuan nga afër zonën, ku pritet të nisë puna për ndërtimin e banesave të reja.

Projekti i rindërtimit parashikon jo vetëm ndërtimin e banesave, për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, por përfshin edhe ndërtimin e infrastrukturës primare, rrugë, kanalizime, sheshe dhe parqe si dhe objekte që ofrojnë shërbime.

Gjatë një bisede me banorët e zonës, ministrja Balluku u shpreh se synimi është nisja sa më parë e punimeve dhe përfundimi i tyre në një kohë sa më optimale, në mënyrë që banorët të hyjnë në banesat e tyre të reja.

“Ne kemi në letër gjithçka. Sot erdhëm që t’a shohim në terren dhe çfarë është më e rëndësishme ne duhet të nisim menjëherë nga puna. Zona është shumë e prekur, por ju duhet të kuptoni, që është një zonë e madhe. Është Durrësi, Vora, Lezha, Laçi, kështu që detyrimisht ajo që ndodh është që ka një ngarkesë shumë të madhe, qoftë dhe pjesa ekonomike, që duhet zgjidhur muaj për muaj për të gjithë ju. Megjithatë asnjë nuk do ngelet jashtë vëmendjes tone. Synimi jonë është që ne të fillojmë sa më parë nga puna dhe të mbarojmë sa më pare, që ju të hyni në shtëpitë tuaja”, u shpreh Balluku.

Ministrja nënvizoi se për të gjithë banesat e Vorës është bërë klasifikimi i tyre në bazë të dëmeve, që ekspertët kanë konstatuar, ndërsa shtoi se banesat e shpallura si të pabanueshme do të shemben për nisur punën me rindërtimin e tyre.

“Ne në këtë zonë kemi të klasifikuar banesat, të cilat janë individuale apo kolektive dhe i kemi të ndara sipas kategorive. D5 e cila është shkalla, që ne do i shkatërrojmë ato banesa për të ngritur të reja. D4 e cila është për t’u vendosur dhe një herë nga akt ekspertimi i thelluar, nëse do munden të rikonstruktohen dhe pastaj D3 e të tjera, që pastaj do rikonstruktohen”, tha Balluku.

Duke ju referuar zonave rurale të bashkisë së Vorës, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se duhet të shihet mundësia për afrimin e tyre në zona më të aksesueshme, pasi disa prej banesave ndodhen në terren ku mungon infrastruktura rrugore duke krijuar pengesa edhe për aksesimin e tyre.

“Kryeministri e ka thënë disa herë në zonat e tjera, kemi zona rurale në të cilat kemi shtëpi të prishura por që aksesi i materialeve të ndërtimit, i makinerive që kërkohet të shkojnë është i pamundur, siç është në zonën e Palaqit apo në zonën e Kuçit. E kemi hasur këtë që në tërmetin e shtatorit duke qenë se Vora ka qenë një zonë e prekur. Rrugë të reja kemi hapur, për të hyrë në këto zona, ndaj problematika që do kemi në zonën Palaqit apo të Kuçit, apo në ndonjë zonë tjetër është, që do duhet të ketë spostim të banesave të cilat janë në ato zona, për t’u afruar në zona më të aksesueshme”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë i kërkoi ministres Margariti hartimin e një plani për zonën e Prezës duke pasur parasysh monumentet e kulturës që janë në këtë zonë dhe që janë një mundësi e mirë për zhvillimin e turizmit në këtë bashki. “Ne kemi zonën e Prezës, e cila është goditur dhe në monumentet e kulturës. Duke qenë se është një nga perlat turistike të kësaj zone, synimi ynë është që pas tërmetit, pasi të ngrihen të gjitha këto ndërtesa dhe familjet të kthehen në familjet e tyre, Vora të marrë një zhvillim tjetër. Prezën ne e konsiderojmë si një pikë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik përmes zhvillimit turistik, por sigurisht kemi dhe zonat e tjera, siç janë liqenet e shumta që kjo zonë ka”, deklaroi Balluku.

Nga ana e saj, Ministrja e Kulturës tha se plani zhvillimor i hartuar shkon përtej nevojës bazike duke përfshirë edhe përmirësimin e rrjetit infrastrukturor. “Pas aktit të inspektimit, ne kemi të dhëna të sakta të çdo banese me numrin e familjeve dhe numrin e anëtarëve për familje, sepse është një e dhënë e domosdoshme, sipas ligjit të posaçëm, që do t’i referohet më pas me metra katrorë për apartament”, tha Margariti.

Ministrja e Kulturës dha detaje sa i takon të gjithë procesit të rindërtimit, por edhe punës që po bëhet për hartimin e kuadrit ligjor. “Kemi ecur mirë, tashmë kemi kaluar mbi 23 zona, të cilat kanë hyrë në dy faza të ndryshme në mbledhje qeverie, janë formalizuar dhe kanë hyrë në procesin e planifikimit urban. Vora është një prej tyre. Kemi 25 shkurtin dhe 10 marsin, dy datat që përfundojnë proceset e planifikimit, të gjithë projektet, që tregojnë të gjithë fazat më pas sesi do zhvillohet zbatimi. Po ecim me hartimin e të gjithë kuadrit ligjor për pjesën e zbatimit”, bëri të ditur Margariti.

Bashkia e Vorës ishte një prej zonave më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke bërë të pabanueshme një numër të madh të pallateve, por edhe shtëpive në zonat rurale.

Plani i rindërtimit parashikon që pallatet e reja, por edhe infrastruktura rreth tyre do të jenë të një niveli shumë të lartë. Këto zona do të jenë modeli i një lagjeje, e cila ndërtohet e gjitha dhe jo pjesë -pjesë, siç ka ndodhur deri tani./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.