Kalimi i mjetit në pronësi, pa penalitete deri në fund të shkurtit

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Qytetarët apo subjektet juridike që kanë shitur ose blerë një mjet të cilët nuk kanë bërë ndryshimin e pronësisë së mjetit duhet t’i drejtohen sporteleve të shërbimit të transportit rrugor brenda datës 28 shkurt, pasi nga data 2 mars do të fillojë aplikimi i gjobës për tejkalimin e afatit të përcaktuar në ligj.

“Nga data 2 mars do aplikohet gjoba ndaj çdo regjistrimi të vonuar kalimi pronësie. Ky mjet mund t’ju ngarkojë me detyrime nëse blerësi nuk paguan taksat, nëse nuk paguan gjobat brenda apo jashtë vendit. Mund të keni probleme nëse ky mjet përdoret për krime apo nëse shkakton dëme/fatalitete”, bën të ditur DPSHTRR.

Ky mjet, sipas DPSHTRR-së mund t’u bllokohet apo konfiskohet nëse shitësi ka detyrime ose debi ndaj të tretëve.

“Deri në fund të muajit shkurt nuk do aplikohet gjoba që parashikon Kodi Rrugor, prej 10,000 – 40,000 lekë sipas vonesës”, tha DPSHTRR.

Për gjithë ata që planifikojnë shitjen-blerjen, DPSHTRR ofron shërbimin e lehtësuar të kalimit të pronësisë së mjetit direkt në sportelet tona one stop shop kundrejt një tarife prej 1,400 lekësh./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.