FOTOGALERI/ Festa dhe muzika tradicionale tironse ‘ndezin’ sheshin “Nënë Tereza”

 

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ – Sheshi “Nënë Tereza” u ndez mbrëmjen e sotme me muzikë tradicionale tiranase për të festuar 100-vjetorin e shpalljes kryeqytet.

Emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare dhe tiranase, si Artjola Toska, Bujar Çiçi, Irma Libohova, Merita Halili, Pajtim Struga, Sinan Hoxha dhe Valbona Mema u ngjitën në skenë duke sjellë një atmosferë festive, ku qytetarët e shumtë të cilët kishin mbushur sheshin, kërcyen e kënduan bashkë me ta.

Gjithashtu në këtë festë të madhe në kryeqytet nuk mungoi as kryebashkiaku Veliaj i cili u ngjit në skenën e improvizuar si Ura e Tabakëve me veshje tironse dhe këndoi bashkë me artistët  “Ku ka si Tirona”.

“100 vite më parë tiranasit dhe dashamirësit e saj festonin për shpalljen si Kryeqytet të të gjithë Shqipërisë. Pas një kalvari të gjatë vuajtjesh festonin për Tiranën Kryeqytet, që ne e trashëguam dhe po e gëzojmë sot. Le të festojmë sot për ata që na dhuruan këtë kryeqytet, e për këtë kryeqytet të mrekullueshëm që ka mikpritur brez pas brezi nga mbarë shqiptaria. Faleminderit Tiranë dhe gëzuar 100-vjetorin!” – tha Veliaj.

 

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.