BRUKSEL, 11 shkurt /ATSH-MIA/ – Projektrezoluta e Bashkimit Europian kërkon nga vendet anëtare të fillojnë menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të njohin pasojat negative nga shtyrja e vendimit, tetorin e kaluar.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Samitin e Zagrebit, Tonino Picula ka përgatitur projektrezolutën e Bashkimit Europian për procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit, bazuar edhe në metodologjinë e rishikuar të Komisionit.
Kjo projektrezolutë është përgjigjja e Parlamentit Evropian për metodologjinë e re të Komisionit Europian për negociatat e anëtarësimit.
Parlamenti Europian kërkon që vendet të vlerësohen sipas meritave të tyre.
Teksti i projektrezolutës kërkon që të njihen pasojat negative nga dështimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019 dhe të pranojë që hapja e këtyre negociatave do të kthente besueshmërinë në procesin e integrimit.
Deputetët europianë konsiderojnë se negociatat duhet të hapen “menjëherë” në samitin e ardhshëm të BE-s në mars.
Sipas diplomatëve në Bruksel, kryetari i Këshillit Europian, Charles Michel është i vendosur të marrë dritë jeshile nga vendet anëtare për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe MV në mars.
Të dielën të gjithë shefat e shteteve dhe qeverive të rajonit janë ftuar në një darkë zyrtare nga kreu i Këshillit Europian, Charles Michel.
Formati do të jetë i njëjtë edhe për vendet anëtare të BE-së, me të cilët Këshilli Europian dëshiron ta theksojë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Europian./ /ec/ a.jor.