BRUKSEL – NATO dënon sulmet e regjimit të Asadit në Idlib

BRUKSEL, 11 shkurt /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi sot sulmet nga regjimi i Asadit në Idlib, një zonë në veriperëndim të Sirisë që mendohet të jetë nën armëpushim.

“Kemi parë sulme kundër civilëve dhe i dënojmë ashpër ato”, theksoi kreu i NATO-s, Stoltenberg para takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që do të zhvillohet nesër.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në Idlib sepse kemi parë sulme të tmerrshme kundër civilëve. Ne kemi parë përsëri se qindra mijëra njerëz janë detyruar të largohen”, shtoi ai.

Stoltenberg u bëri thirrje regjimit të Asadit dhe Rusisë që të ndalojnë sulmet në Idlib dhe se kjo çështje pritet të diskutohet në takimin e ministrave të Mbrojtjes.

“Ne i bëjmë thirrje Asadit dhe Rusisë, mbështetëse e regjimit sirian, të ndalojnë këto sulme, të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të mbështesin plotësisht përpjekjet e OKB-së për të gjetur një zgjidhje paqësore”, nënvizoi Stoltenberg.

Idlibi ka qenë bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura antiqeveritare që prej shpërthimit të luftës civile siriane në vitin 2011./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.