Skema Kombëtare për bujqësinë 2020/ Subvencionim blegtorëve për zgjerimin e fermave

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Blegtorët përfitojnë subvencion nga qeveria për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale dhe shtimin e fermave me gjedhë e të imta.

Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020 adreson mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për blegtorët duke i subvencionuar ata për krerë bagëti.

Sipas vendimit të miratuar së fundi nga qeveria, masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.

Në këto vitet e fundit, blegtoria ka marrë vëmendje maksimale nga politikat mbështetëse të Qeverisë.

Gjatë vitit që lamë pas fermerët përfituan subvencion për çdo faturë të shitjes së qumështit te grumbulluesit.

Në 2019, fermerët blegtorë përfituan në total 40 milionë lekë përmes skemës së qumështit me 10 lekë për litër. Këtë vit skema e mbështetjes për fermerët do të financojë fermerët për për rritjen e numrit të krerëve në bagëti. Pragu do të jetë 5 lopë e lart. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.