SHBA – Trump: Ka ardhur koha të negociojmë shumë seriozisht me BE-në për tregtinë

UASHINGTON, 10 shkurt /ATSH-AFP/ – Ka ardhur koha për të negociuar shumë seriozisht një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian, theksoi sot presidenti amerikan, Donald Trump.

“Europa po na trajton shumë keq”, shtoi ai para guvernatorëve të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, duke shprehur keqardhje për një “deficit të madh” me Brukselin gjatë 10-12 viteve të fundit dhe “barrierat e jashtëzakonshme doganore”.

Presidenti republikan u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të hapin më shumë tregun e tyre për prodhimet amerikane, veçanërisht ato bujqësore.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftuan në fund të janarit, pas një takimi në Davos, vullnetin e tyre për të rihapur kantierin tregtar transatlantik dhe për të arritur një marrëveshje në javët e ardhshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.