Paketa Anti KÇK/ Hyseni: Goditja e pasurive të krimit mjet shumë eficient, nuk është shpikja jonë

TIRANË, 10 shkurt /ATSH-A. Fortuzi/ Goditja e pasurisë është një mjet tejet efikas për të luftuar krimin e organizuar, dhe në këtë prizëm ka lindur edhe paketa “Anti KÇK”, që i vjen në ndihmë operacionit “Forca e Ligjit”.

Kështu u shpreh sot, Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste, gjatë një interviste televizive. Hyseni theksoi se paketa “Anti KÇK” është një instrument shumë i rëndësishëm për OFL. Sipas tij, kjo paketë vjen në momentin kur Reforma në Drejtësi po jep dhe frytet e veta. Hyseni shtoi se, krimi nuk po ndihet komod dhe po përdor zëra mediatikë dhe politikë për t’u mbrojtur.

“Kjo është paketa e luftës pa kompromis kundër krimit dhe burimeve financiare të krijuara përmes konsumit të veprave penale të ndryshme. Kundër qëllimit kryesor, pra vënia e pasurive të paligjshme përmes kryerjes së veprave penale. Ne kemi pasur një sërë reformash në këtë drejtim. Jemi në kuadër të përmbylljes së reformës së madhe në Drejtësi”, – tha Hyseni.

“Dhe të gjitha këto reforma dhe nisma kanë në fund të fundit një synim të madh, që qytetari shqiptar të ndihet i sigurt dhe mos të ndihet i kërcënuar nga krimi i organizuar. Dhe për të arritur këtë, duhet t’ia bësh krimit ditën e zezë, duke ia bërë të pamundur aktivitetin kriminal dhe duke ia bërë të pamundur fitimin e të ardhurave përmes krimit”, – tha Hyseni.

“Ndjekja e parave është një metodë mjaft efikase. Goditja e pasurisë dekurajon individët që ndërmarrin nisma kriminale për t’u pasuruar. Nëse krimineli është i sigurt se mund të riskojë disa vite burg, por do të fitojë para, ai e merr këtë risk, por nëse i goditet pasuria, ai nuk e ndërmerr riskun. Pra duke i ngushtuar të gjitha shtigjet e pasurimit dhe duke forcuar dhe luftën pas kryerjes së veprës penale dhe në këtë drejtim, goditja e pasurive të krimit është një mjet shumë eficient dhe nuk është një shpikje e jona, por ka një sërë vendesh që e kanë si praktikë dhe ne e kemi përshtatur”, – theksoi Hyseni.

“Unë shpreh keqardhje për opozitën. E kam ftuar opozitën të jetë serioze me veten e saj. Nga njëra anë thotë se s’po luftohet krimi dhe kur luftohet krimi, thotë se po bëhet për qëllime elektorale. Pra opozita duhet të sqarojë veten njëherë”, – tha Hyseni.

“Ne po luftojmë krimin, se e kemi detyrë dhe mision. Po ashtu e kemi dhe marrëveshje me qytetarët dhe nëse ne do të kemi rezultat dhe për këtë arsye do kemi dhe votëbesimin e qytetarëve shqiptarë, kjo është zgjedhja e qytetarëve”, – tha Hyseni.

Pyetjes se përse kjo paketë vjen në këtë moment, Hyseni iu përgjigj: “… sepse Reforma në Drejtësi po jep frytet e veta, Vetingu po bën punën e vet, duke ushtruar presionin e duhur te gjyqtarët e prokurorët për të përmirësuar punën e tyre dhe po largon nga detyra prokurorët dhe gjyqtarët me probleme. Pra Vetingu po jep efekte, 126 prokurorë e gjyqtarë janë jashtë sistemit”, – shtoi Hyseni.

“Së pari, selektimin e bënë vetë ligji. Një grup janë personat e dënuar me vendim të formës së prerë dhe vepra të caktuara penale dhe në grupin e dytë, persona nën hetim për vepra të  rënda penale. OFL pra, ka në fokusin e saj personat të cilët kanë kryer vepra që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe krimin e organizuar, vrasjet, rrëmbimet, anëtarët e organizatave kriminale. Radha se kush goditet, lidhet me kapacitetet policore dhe rrezikshmërinë e individëve. Kjo paketë nuk prek këdo”, – nënvizoi deputeti socialist.

“Nëse nuk plotësohet dokumentacioni, atëherë pasuria sekuestrohet. Nuk mendojmë se në 100% të rasteve do jemi efikasë. Ajo që mund të them është se krimi nuk po ndihet komod nga ky operacion i Policisë. Krimi po përdor zëra mediatikë dhe politikë për t’u mbrojtur. Ai është i tmerruar dhe nuk po di ku të mbledhë dokumentacioni për t’u justifikuar. Në Shqipëri gjithkush ka të drejtë të paraqes mbrojtjen e tij dhe Gjykata është filtri i fundit që merr vendimin final, prandaj i bëjë thirrje ekspertëve të mos drejtoi gishtin nga ne”, – theksoi deputeti socialist, Alket Hyseni.

Ai tha se ligji ka fuqi deri në 31 dhjetor 2020 dhe i gjithë procesi kalon përmes SPAK, i cili nga ky proces pritet të ketë rreth 250 dosje në vit.

“Ngarkesa e një prokurori apo gjyqtari të SPAK, nuk është më e madhe se një gjyqtar apo prokuror i zakonshëm, të cilët kalojnë në duar me qindra dosje në vit, rendin 180-250 dosje në vit në kushte normale. Ndërsa këtu po flasim për rreth 250 dosje në vit. Brenda një viti dhe gjatë këtij viti që funksionon ky ligji do jenë rreth 250 dosje, apo 20 e pak dosje për një prokuror të SPAK”,- theksoi Hyseni.

“Paketa e vërtetë anti “KÇK”, është ajo që lidhet drejtësinë, ku funksionar të drejtësisë, që në pritje të Vetingut dhe nga frika ndaj tij, dhe në vakuumin e moskrijimit të institucioneve, këta funksionarë të drejtësisë në vend që të japin drejtësi, po shkelin më fort ligjin. Urojmë që zëdhënës kushtetues të tyre të mos e kthejnë ligjin, por edhe po e kthyen, ai do miratohet sërish në Kuvend dhe kjo do jetë paketa e Anti KÇK”, – tha Hyseni.

“Kushdo që abuzon me detyrën, qoftë dhe një ditë para se të largohet nga Vetingu, do japë llogari disiplinore dhe jo vetëm. Do japë llogari tek ILD, që do ketë një mekanizëm edhe më të shpejtë, pa pritur një kohë të gjatë”, – theksoi Hyseni.

“Lidhur me Reformën Zgjedhore po punohet në nivel ekspertësh. Kemi dhe punën në nivel këshillimor, ku brenda janë faktorë parlamentar. Po ashtu diskutimet me shoqërinë civile vijojnë diskutimet dhe brenda 15 marsit do kemi draftin përpara Kuvendit për t’u miratuar”, – theksoi Hyseni.

“Kërkesa për identifikimin elektronik të votuesit nuk është kërkesë ekskluzive e PD. Ka qenë edhe më herët në diskutim, prej dy vitesh. Besoj se është e realizueshme, duhen parë aspektet e përkthimit të këtij vullneti në ligj. Ne s’kemi asnjë fobi, qoftë dhe nga votimi elektronik apo numërimi elektronik. Rëndësi ka të shihet se si do realizohen, do jenë projekte pilot, apo në nivel vendi”, – theksoi Hyseni. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.