Nis konsultimi publik për raportin vjetor të Komisionit Europian 2020 për Shqipërinë

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Sot nis konsultimi publik për raportin vjetor të Komisionit Europian 2020 për Shqipërinë.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri po përgatit raportin vjetor të Shqipërisë 2020. Për këtë raport, delegacioni i BE do të mirëpresë kontributin nga organizatat e shoqërisë civile përmes konsultimeve publike që do të zhvillohen të hënën, datë 10 dhe të martën, datë 11 shkurt 2020.

Struktura e raportit vjetor të vitit 2020 do të jetë e njëjtë me Raportin e vitit 2019. Për secilin nga kriteret, do të bëhet një vlerësim i përparimit të Shqipërisë që nga marsi 2019. Progresi do të matet në drejtim të vendimeve konkrete të marra, legjislacionit të miratuar dhe shkallës së zbatimit.

Konsultimet publike përfshijnë fusha si sundimi i ligjit, funksionimin e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, migrimi i ligjshëm dhe i parregullt

Në fazën e dytë të konsultimeve publike përfshihen, demokracia dhe të drejtat themelore, zgjedhjet, parlament, qeverisja, Reforma në Administratën Publike, shoqëria civile, mbrojtja e të drejtave themelore, liria e shprehjes dhe media.

Në fazën e tretë të konsultimeve publike janë kapitujt e acquis të BE-së, bujqësia, peshkimi, zhvillimi rural dhe siguria e ushqimit, mjedisi dhe ndryshimi i klimës, transport, energji, politikat sociale dhe punësimi, edukimi dhe kultura, kërkimi dhe inovacioni.

/gj.mima/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.