Nënshkruhet marrëveshja/ 50 milionë dollarë financim për ndërlidhjen e rrugëve rajonale dhe lokale

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënshkroi me Bankën Europiane për Rindërtim marrëveshjen për financimin e ndërlidhjes së rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri.

Marrëveshja u firmos nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli, ndërsa do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Programi parashikon dhënien e një shume prej 50 milionë dollarësh në formën e huasë, për përmirësimin e infrastrukturës në tre akse rrugore lokale në vendin tonë, që prekin zonat Vlorë-Orikum, Shëngjin-Velipojë dhe Librazhd-Bulqizë.

Ministrja Denaj vlerësoi marrëveshjen e firmosur me BERZH dhe tha se qeveria shqiptare është e angazhuar në përmbushjen e prioritetit të saj për të rritur aksesin drejt zonave rurale, jo vetëm nga qytetarët e turistët, por edhe nga investitorët e huaj, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të tyre dhe në rritjen e punësimit.

“Këto tre akse janë pjesë e një programi më të gjerë të ndërlidhjes rajonal dhe lokal, i cili nuk do të sjellë vetëm një përmirësim të shtuar të akseve në aspektin e transportit por, mbi të gjitha, do të zgjerojë mundësitë e zhvillimit ekonomik në këto zona. Ky është një prioritet i qeverisë shqiptare, për të bërë zonat rajonale e zonat rurale më të prekshme për individët, turistët dhe mbi të gjitha për investitorët vendas dhe të huaj, të cilët në këto zona do të mundësojnë jo vetëm marrjen e shërbimeve të duhura, por njëkohësisht do të krijojnë mundësinë e një zhvillimi ekonomik dhe punësimi akoma më të gjerë”, u shpreh Denaj.

Drejtori i BERZH për Shqipërinë, Colangeli, tha se nënshkrimi i marrëveshjes konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit rrugor të vendit tonë, ndërkohë që investimi i parashikuar do të ndikojë në përmirësimin e ekonomisë lokale.

“Mendoj që këto investime janë të rëndësishme pasi shërbejnë dhe ndikojnë në përmirësimin e ekonomive lokale, në zonat që do të përfitojnë nga mundësi më e mirë ndërlidhjeje, veçanërisht për fushën e turizmit, i cili për ne është gjithashtu një sektor prioritar për investimet. Do të doja gjithashtu të nënvizoja se investimet në infrastrukturë kanë të bëjnë me rritjen e standardeve, përmirësojnë mjedisin, aspektet sociale, sigurinë rrugore, ndërhyrje që janë maksimizuar në detajet teknike të këtyre projekteve”, u shpreh  Colangeli.

Në këtë projekt përfshihen rehabilitimi i rrugës ekzistuese Uji i Ftohtë–Orikum, prej 10,7 km, ku pjesë do të jetë edhe ndërtimi i dy bypass-eve që do të përmirësojnë qarkullimin, ndërtimi i rrugës Shëngjin–Velipojë prej 12,4 km, si dhe sistemim dhe asfaltim i rrugës Zgosht–Ura e Çerenecit prej 47,1 km.

Objektivi i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës rrugore me qëllim krijimin dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të zonave të gjendura në bashkitë Vlorë, Lezhë, Shkodër, Librazhd dhe Peshkopi, si rezultat i përmirësimit të potencialit të tyre turistik dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë. Sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit, përfaqësojnë dy sektorë kryesorë në drejtim të punësimit dhe rritjes ekonomike në Shqipëri. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.