Ligji për mediet elektronike/ Hysi takon delegacionin e Komisionit të Venecias

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ligji për mediet elektronike dhe shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë ishte në qendër të takimit që zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, zhvilloi sot me një delegacion nga Komisioni i Venecias.

Delegacioni përbëhej nga Herdis Kjerulf Thorgeirsdottir, anëtare e Komisionit të Venecias për Islandën, Michael Frendo, anëtar i Komisionit të Venecias për Maltën, si dhe ekspertë të Komisionit.

Delegacioni ndodhet në Shqipëri për të përgatitur një opinion për ligjin për mediet elektronike dhe shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë takimit, anëtarët e delegacionit shprehën interes për të njohur qëllimet e ligjit, nevojat për miratimin e tij si dhe u diskutua mbi problematikat e hasura në praktikë.

Delegacioni nga Komisioni i Venecias po zhvillon vizitë dyditore në Tiranë dhe opinioni i tyre pritet të miratohet në Sesionin e 122-të Plenar të Komisionit të Venecias që do të mbahet më 20 – 21 mars 2020.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.