Lagje të reja, por edhe rinkonfigurim urban pas tërmetit, Margariti: Në shqyrtim edhe 4 zona të tjera zhvillimore

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një interviste televizive u shpreh se zhvillimi i i zonave të reja pas tërmetit të 26 nëntorit nuk do të jetë vetëm me funksion rezidencial, por do të ketë edhe shërbime të shtuara.

E ftuar në një studio televizive, ministrja Margariti deklaroi se përveç zonave të reja, të përcaktuara tashmë, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Kombëtar të Rindërtimi do të shqyrtohet mundësia edhe për katër zona të reja.

“E kuptoj që është shumë e nevojshme që banorët ta shohin konkretisht procesin fizik të rindërtimit por besoj se është mëse e mirëkuptueshme që procese të tilla kalojnë më së pari në një planifikim, që të koordinojë së bashku me ministrin Ahmetaj, për planifikimin urban të të gjitha zonave ku do të ndodhë ky lloj rindërtimi pastërmeti. Dhe për këtë, është një proces që ka nisur, është futur brenda një kuadri ligjor. Kemi miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave 23 zona, të shpërndara nëpër qytete të ndryshme duke filluar nga Kurbini, Kruja, Tirana, Durrësi, Kavaja, Lezha dhe jemi ende në rishikim të disa zonave të tjera. Mendojmë se në mbledhjen e ardhshme të komitetit shtetëror të rindërtimit e cila është hallka kyçe e kalimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, kemi për shqyrtim edhe 4 zona të tjera, javën tjetër”, u shpreh Margariti.

“Miratimi i këtyre zonave i ka futur ato në një kuadër ligjor të posaçëm për rindërtimin, i ka futur tashmë në një proces 25-ditor për hartimin e planeve të detyruara vendore. Ligji ka specifikuar se përtej planeve të detajuara që ekzistojnë në terminologjinë urbanistike, me ligjin dalin në plane të detyruara vendore. Kemi përcaktuar zonat ku ka shpeshherë një zhvillim që ka të bëjë me krijimin e lagjeve të reja, të cilat janë mirëmenduar së bashku me ekspertët e huaj të cilët na kanë asistuar në muajin e parë, ekspertët e vendeve fqinjë që e kanë kaluar vetë po themi procesin e rindërtimit pastërmetit si: Italia, Greqia, Turqia. Zhvillimi i këtyre zonave të reja, nuk do të jenë vetëm funksion rezidencial, pra të themi nuk do të shërojë vetëm plagën e humbjes së banesës së personave por do të ketë edhe shërbime të shtuara”, – theksoi Margariti.

“Të mos harrojmë që kemi edhe mungesa në hapësira administrative. Për shembull, në rastin e Kurbinit, në zonën e re për zhvillim, kemi përtej 500 apartamenteve të premtuara nga qeveria turke, kemi po ashtu edhe projektin e ri të bashkisë e cila edhe ajo ka pësuar dëme. Kemi parë edhe hapësira të tjera administrative si për shembull hipoteka, e cila edhe ajo ka dëme dhe po riformulojmë në një program të ri që shkon përtej rindërtimit post-tërmet vetëm të banesave. Do të ketë shërbime të shtuara, të cilat edhe ato janë shërbime tregtare të dëmtuara edhe në godinat e shembura tashmë po ecim në disa zona”, shtoi ajo.

Sipas saj, banesat që do të shemben, do të bëhen pjesë e një konfigurimi të ri me standardet më të mira.

“Gjithashtu, kemi riformuluar një tjetër lloj zhvillimi. Në disa zona ku ka një konglomerat banesash shumë afër njëra me tjetrën, banesa kolektive që janë ndërtuar nga tërmeti, të cilat tashmë janë shpallur të banueshme dhe me aktin e inspektimit të thelluar, rezultojnë si banesa që duhen shembur, mendojmë se pas shembjes së tyre të ketë një riformulim të të gjithë zonës ku ndodhen këto banesa. Pra, jo një spostim në një lagje të re por një rikonfigurim drejt standardeve më të mira, duke krijuar hapësira të reja publike aty ku ndërtesat prishën, kuptohet me një delikatesë në ato hapësira ku ka pasur viktima, sepse ato i konsiderojmë patjetër si vende të memories dhe aty ku një banesë kolektive ku ka pasur viktima nga tërmeti, normalisht nuk e shikojmë brenda procesit të planifikimit me ngritjen e një tjetër banese kolektive”, – nënvizoi Margariti.

Margariti informoi po ashtu se “në Thumanë është një nga zonat e para, të cilat janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi edhe procesi i hartimit të skenarëve të ndryshëm në bashkëpunim me pushtetin vendor por duke parashtruar nevojat dhe më pas disponibilitetin e hapësirave përgjithësisht shtetërore për rindërtim pasi edhe këtu nuk kemi dashur të krijojmë konflikte të shtuara duke konfiguruar modele të reja në zona private, Thumana është futur në këtë proces, me hartimin e këtij plani të detyruar vendor, aty kemi dy tipologji ndërhyrjesh. E para është në pjesën e hapësirave kolektive ku ka pasur viktima dhe paraqitet në masteplanin që po hartohet, megjithatë masterplani ka 3 faza të revizionimit dhe të punës së bërë. Zona tjetër është me banesa individuale. Banesat individuale do të jenë ato banesa që edhe pse nuk ndodheshin në qendrën e Thumanës por të shpërndarë në të gjithë territorin, do të grupohet në këtë zonë të re duke krijuar standarde më të larta jetese dhe dua ta theksoj që në prioritetin e qeverisë, është spostimi në një zonë të re më më shumë shërbime dhe me një konfigurim vërtet rural por edhe pak më urban I banorëve. Ndërsa, pronën e tyre të cilën ata kishin shtëpinë e tyre, mbetet po njësoj e tyre. Pra kemi një rirregullim të territorit edhe në aspektin funksional. Jo më një shpërndarje kaotike dhe rastësore edhe e banesave. Kjo do të sjellë një zhvillim dhe tjetër standard jetese si për banorët ashtu edhe për brezat e ardhshëm, me një mendësi tjetër të të jetuarit rural”.

Lidhur me ndërhyrjet më të mëdha që do të kryhen, Margariti u shpreh se  “dëmet më të mëdha kanë qenë në zonën e Durrësit dhe Tiranës. Tirana ka 9 zona zhvillimi. Këto nuk janë vetëm 9 zona zhvillimi post-tërmeti. Në disa qytete, kemi parë mundësinë e krijimit të poleve të reja, të munguara në qytet. Kemi në zonën e ‘5 Majit’, në zonën e Universitetit Bujqësor, në zonën e Kombinatit. Më pas kemi zonat rurale si: Vaqarr, Baldushk. Formulat janë të ndryshme. Në zona më të mëdha, fokusi ynë është që të krijohen pole të reja aktivitetesh që të kalojnë nëpërmjet industrive të ndryshme ose biznesve të cilat mund të bashkohen si magnete edhe për punësimin e të rinjve, zona me hapësira rekreative social-kulturore si rastin e Kombinatit. Formula dhe programe të munguara, pra krijim i poleve me karakteristika të veçanta”.

“Për zonat e para të miratuara, siç thashë, në çdo javë kemi mbledhjen e komitetit shtetëror të rindërtimit dhe më pas kalimin me vendim të Këshillit të Ministrave të miratimit të zonave të reja. Në 25 shkurt kemi dorëzimin e tre zonave të para dhe më pas tre zonat e tjera i kemi me 13 mars. Ky është një hap kyç për të thënë që kemi një plan të mirëfilltë të të gjithë zonës dhe që më pas do të fillojë me detajimin e projekteve të zbatimit, që do të ecim paralelisht edhe me zbatimin real, fizik në konstruksione. Pra, fundi i këtij muaji do të na gjejë me hapa më konkretë ndërkohë që kanë filluar projektimi teknik. pra, puna ka filluar edhe me meremetimin e atyre godinave që nuk kanë nevojë të shemben ndërsa puna reale në zonat e mëdha do të marrë një hap tjetër të rëndësishëm në fund të këtij muaji dhe në mesin e muajit tjetër”, – theksoi ajo.

Nga donacionet, tha ajo, vlera në platformë kap shifrën e 15 milionë euro.

“Deri tani kemi donacione të ndryshme që kanë kaluar si nëpërmjet ‘e-Albania’-s, në platformën e ngritur apostafat për këtë transparencë le të themi ndaj qytetarëve, ashtu dhe donacione të tjera që vijnë në forma të ndryshme bashkëpunimi që nga njëra anë nuk janë konkretizuar ende në formë monetare pasi shumë nga shtetet partnere, presim që pas konferencës së donatorëve të shprehen në mënyrë specifike për këto ndihma. Deri tani, vlera që është paraqitur besoj aktualisht edhe në platformë duhet të jetë 15 milionë euro megjithatë, ende është një shifër e cila ka marzhe për t’u shtuar”, përfundoi Margariti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.