Bardhi: Situata e gripit e keqmenaxhuar, fëmijët presin me orë në Pediatri

TIRANË, 10 shkurt /ATSH – I. Vata/- Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia ka reaguar sot në lidhje me atë që e cilësoi fluks të shtuar të fëmijëve në Pediatri për shkak të gripit, ndërsa akuzoi ministren e Shëndetësisë si përgjegjëse për situatën e krijuar.

“Fluksi në rritje i prindërve me fëmijë të sëmurë vijon. Së bashku me fëmijët ata presin me orë madje madje edhe në oborrin e spitalit. Në këto kushte presin dhe ata fëmijë që kanë nevojë për ndihmën urgjente. Është skandaloze situata me të cilën përballen këta fëmijë dhe prindërit e tyre të pafuqishëm përballe këtij skandali”, u shpreh ai.

Po ashtu, Bardhi shtoi se kjo situatë përbën një skandal të cilit, sipas tij, ministrja e Shëndetësisë i përgjigjet me papërgjegjshmëri dhe propagande bajate.

“E turpshme maskarada e dëgjesës së saj sot në Komisionin e Shëndetësisë, të mbledhur për t’i bërë lavde njëri-tjetrit. Qershia mbi tortë, shqetësimi i kryetarit të komisionit për makinën e vitit 1978 në ISHP. Askush nuk di të thotë si do ndihmohen këta fëmijë në nevojë ndërkohe që përgjegjësit për këtë situate tallen paturpësisht në mbledhjen e radhës qe u ka caktuar propaganda”, tha Bardhi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.