Nis rikonstruksioni i rrugës, Ura e Mesit-Kalaja e Drishtit

TIRANË, 9 shkurt /ATSH – I. Vata/- Qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka nisur rikonstruksionin e rrugës Ura e Mesit-Kalaja e Drishtit, duke bashkuar këto dy monumente kulture, për të rritur vlerat e tyre dhe turizmin në atë zonë dhe në bashkinë e Shkodrës në tërësi.

Deputetja e PS-së Senida Mesi shprehet se “800 metra mbi nivelin e detit me një largësi prej 15 kilometrash nga qyteti i Shkodrës ndodhet Kalaja e Drishit, ndër të paktat kala në Shqipëri në të cilat ende banohet. Kalaja e Drishtit është ngritur në shekullin e XIII si një fortesë bizantine dhe mban statusin “Monument Kulture” që nga viti 1948”.

Kalaja e Drishtit gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir.

Mesi shton se “në këtë aks kanë avancuar punimet, për LOT I, në procese si gërmime, punime betoni, mure e kanale anësore, si dhe mbushje me çakull”.

Gjithashtu po kryhen pastrimet e rrugës, për të mos humbur aspak kohë në përgatitjen e punimeve për LOT- II.

“Në mbarim të rrugës ju ftojmë të vizitoni këto dy mrekulli, për tu njohur me historinë dhe kulturën, natyrën dhe njerëzit e mrekullueshëm të asaj zone. Turizmi në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm!”, shprehet ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.