Mbërrin në Tiranë delegacioni i Komisionit të Venecias

TIRANË, 9 shkurt /ATSH – I. Vata/- Një delegacion i Komisionit të Venecias ka mbërritur në Tiranë ku do të zhvillojnë disa takime lidhur me ndryshimet në ligjin për Mediat Audiovizive.

Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar axhendën e delegacionit të  Komisionit të Venecias ku sqaron se “më datat 9-12 shkurt 2020, përfaqësues të Komisionit të Venecias do të jenë në Tiranë”.

Sipas njoftimit zyrtar, delegacioni i Komisionit të Venecias do të zhvillojnë një takim më datë 10 shkurt, në orën 9:15, në Kryesinë e Kuvendit me zv.kryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi.

Ndërsa me 10:05-10:45, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të kenë një takim me grupin parlamentar të PS dhe në 10:50-11:30 me grupet e opozitës.

“Në axhendën e Komisionit të Venecias në Kryesinë e Kuvendit, në orën 11:35 me 12:30 është parashikuar edhe takimi me Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik”, sqaron Kuvendi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.