Programi i Rindërtimit/ Sportelet për aplikimin online të hapura dhe të shtunën në Durrës

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës, janë drejtuar edhe të shtunën në 56 sportelet e posaçme të ngritura në 11 njësi administrative, për të përfituar nga Programi i Rindërtimit përmes aplikimit online.

Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfi, tha sot se “në të gjitha sportelet punohet për aplikimin online të platformës së rindërtimit”.

“Shtëpia ime”-platforma online e aplikimit për Programet e Rindërtimit, brenda dhe jashtë Njësive Administrative funksionon për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve që që kanë pësuar dëme në shtëpitë e tyre nga tërmeti i nëntorit.

Qytetarët që paraqiten në sportel, duhet të jenë të pajisur me mjetin e identifikimit dhe certifikatën e pronësisë, ndërkohë që certifikata familjare mund të gjenerohet në moment nga një punonjëse e zyrës civile që ndodhet në sportel.

Dokumentet bazë për aplikimin janë karta e identitetit ose pasaporta, e cila shërben për të marrë numrin personal, dokumenti i pronësisë, certifikata familjare dhe akti i konstatimit, Këto dy të fundit i kanë specialistët e sporteleve./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.