“Kukësi” rikthehet në krye, fiton 3-1 përballë “Laçit”

TIRANË, 8 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- “Kukësi” ka fituar me rezultatin 3-1 në “Elbasan Arena” përballë “Laçit”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21 të superligës shqiptare të futbollit.

Skuadra nga verilindja përmes këtij triumfi rigjen kreun e klasifikimit, i cili përkohësisht u mbajt nga “Tirana”, që fitoi një ditë më parë ndaj “Vllaznisë” në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Takimi ishte i bukur dhe i luftuar nga të dy krahët, ndërsa miqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Nwabuezes. Sulmuesi dërgoi topin në rrjetë në minutën e 36′, por ishte Abazaj që barazoi gjithçka pas 3′ minutash. Sulmuesi i Kukësit shfrytëzoi një rrëmujë në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-1.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa vendasit shpërthyen në pjesën e dytë. Shkurtaj i dha avantazhin të besuarve të Duros në minutën e 68 ‘, ndërsa Ethemi shënoi golin e tretë për 3-1. Kjo fitore e rikthen Kukësin në vend të parë, 1 pikë më shumë se Tirana, ndërsa Laçi mbetet në vendin e tretë.

Pas 21-javëve, superliga udhëhiqet nga “Kukësi” me 41 pikë, e ndjekur nga “Tirana” në kuotën e 40 pikëve. Klasifikimi mbyllet me “Flamurtarin” dhe “Luftëtarin” në dy vendet e fundit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.