Hapat që ndiqen për rivlerësimin e pronës/ Qytetarët për ATSH-në: Tarifa e reduktuar, rast i mirë për t’u dhënë banesave vlerën e tregut

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/- Pranë sporteleve të ADISA-s nisi procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, tokë dhe ndërtesa, kundrejt një tarife të reduktuar prej 3% për individët dhe 5% për biznesin, nga 15 % që aplikohej deri tani.

ATSH ishte pranë zyrave të ADISA-s në Tiranë, për të parë mënyrën se si aplikohet për të përfituar nga ky shërbim, të cilin qytetarët mund ta kryejnë edhe nga shtëpia përmes e-albania.

Aplikimi i një tarife të reduktuar është mirëpritur nga qytetarët të cilët e shohin me interes këtë proces, sidomos në rastet kur ata duan të shesin pronën e tyre.

Një qytetar shprehet se kërkon të shesë shtëpinë, pasi ka nevojë për më tepër hapësirë. Reduktimi i tarifës, shprehet ai, nga 15 në 3%, është mjaft me interes.

Një tjetër qytetare theksoi se ky ishte një rast i miri për të kthyer pronën e saj në vlerën e tregut, edhe pse ajo për momentin shprehet se nuk kishte ndër mend ta shiste.

Ndërsa një zonjë, e cila jetonte e vetme pasi fëmijët jetonin jashtë vendit na thotë se reduktimi i tarifës është një mundësi e mirë dhe se kërkon ta shfrytëzojë për t’ua lënë fëmijëve një banesë në vlerën e tregut.

“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 30 shtator 2020, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut”, u shpreh për ATSH-në ekspertja pranë zyrave të ADISA-s në Tiranë, Aida Gedaj.

Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi.

Individi, tha ajo, mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK-ja), apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.

“Nëse individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit. Por nëse individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

Individi ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.

Kur individi kërkon rivlerësimin sipas aktit të ekspertit të licencuar, dërgimi nëpërmjet platformës, i faturës së tatimit të nënshkruar dhe të vulosur elektronikisht, së bashku me tarifën e shërbimit, kryhet vetëm pasi të jetë administruar fizikisht (me postë) akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, i nënshkruar dhe i vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë, si dhe fotokopje e njësuar e licencës së tij.

Gedaj bëri të ditur se në rastet kur është e pamundur të aplikohet nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, aplikimi kryhet pranë zyrës pritëse ADISA. /a.gjonaj/a.fortuzi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.