Fotogaleri/ Punime intensive për rikonstruksionin e godinave të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, ja si po ndërhyhet

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Tërmeti i 26 nëntorit solli dëme të konsiderueshme në qytetin e Durrësit, ku shumë pallate e banesa u shpallën të pabanueshme ndërsa pjesa tjetër me dëmtime të vogla po u nënshtrohet riparimeve.

Firmat ndërtuese të pallateve të dëmtuara kanë marrë leje nga bashkia e Durrësit dhe po kryejnë ndërhyrjet nëpër godina, duke punuar me intensitet të lartë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte në Durrës për të parë nga afër rikonstruksionet që po kryhen në objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në pallatin 11-katësh në lagjen nr 17, të rrugës “Dalip Peza”si dhe në godinën 12-katëshe të lagjes nr.12 në rrugën “Abaz Çelkuka”.

Dem Mena, inxhinier i njërës prej firmës së ndërtimit të pallatit 11, u shpreh për ATSH-në që prej 10 ditësh po punohet me intensitet për të përfunduar sa më shpejt rikonstruksionin.

“Kemi marrë leje në bashki sipas standardeve dhe po vazhdojmë riparimet. Pallati përfundon për 3 muaj, ka filluar punën para 10 ditësh. Për 3 muaj do të përfundojë riparimi sipas standardeve. Ky pallat ishte me nivelin e dëmtuar DS2”, -u shpreh inxhinieri.

Nga ana e tyre punëtorët thanë se ndërhyrjet në godina janë drejt përfundimit.
“Tërmeti ka dëmtuar objektin në fjalë. Kemi hapur poret ku ka bërë dëmtimet tërmeti. I kemi mbushur me shkumë profesionale që është posaçërisht për këtë punë dhe kemi bërë tamposjen e murit në mënyrë të rregullt. Aktualisht kemi mbaruar 6 kate restaurim Godina është drejt përfundimit”, thanë ata.  z.tosku/a.fortuzi./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.