Qeveria e Japonisë grant prej 76 320 eurosh bashkisë së Skraparit për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Qeveria japoneze i akordoi bashkisë Skrapar një grant prej 76 320 eurosh, në kuadër të skemës së granteve të Qeverisë së Japonisë të quajtur “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal” (skema GGP).

Marrëveshja e grantit u nënshkrua sot nga ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Ito Makoto dhe kryetari i bashkisë Skrapar, Adriatik MEMA.

Bashkia Skrapar kërkoi asistencën e qeverisë së Japonisë për të zgjidhur problemin e saj në lidhje me menaxhimin e mbetjeve. Granti japonez synon të përmirësojë shërbimin e pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve në Skrapar përmes blerjes së një makine të re për grumbullimit dhe transportin e mbetjeve si dhe kazanëve të rinj.

Qeveria e Japonisë e mbështet Shqipërinë nëpërmjet skemës së granteve GGP që prej vitit 1998, duke u akorduar grante institucioneve publike, njësive të qeverisjes vendore, dhe OJQ-ve për realizimin e projekteve në fushën e shëndetësisë, parandalimit të katastrofave, mjedisit, arsimit etj. Aktualisht, asistenca totale e dhënë nëpërmjet kësaj skeme grantesh është rreth 2.1 milionë euro (JPY 258 milionë).

Me hapjen e Ambasadës së Japonisë në Shqipëri në vitin 2017, numri i granteve dhe projekteve ka ardhur duke u rritur vit pas viti.

Në ceremoninë e firmosjes të kontratës së Grantit, ambasadori ITO konfirmoi angazhimin e qeverisë së Japonisë për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve në bashkinë e Skraparit, si dhe uroi për një zbatim të suksesshëm të projektit. Nga ana e tij Mema, i shprehu mirënjohjen qeverisë së Japonisë për këtë mbështetje që po i jep Skraparit në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.