“Një zë i rrallë dhe një zonjë e rrallë”/Mesazhe ngushëllimi për “Mbretëreshën e këngës shqiptare”, Nexhmije Pagarusha

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/Politikanë, artistë dhe kolegë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta e mbretëreshë së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Pagarushës, për humbjen e madhe.

“Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha. E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo. Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë. Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.
Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne”, -thotë Meta.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi Pagarushën, një zë dhe zonjë të rrallë, kujtimi i së cilës do të mbetet i pashlyeshëm.

” Një zë i rrallë dhe një zonjë e rrallë, Nexhmije Pagarusha, nuk është më mes nesh, por brenda i pashlyeshëm mbetet kujtimi i saj. Prehu në paqe zonjë e madhe”, -thotë Rama.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkruan se muzika shqiptare ka humbur sot një nga zërat më të bukur. “Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta, duke na lënë një trashëgimi të vyer nëpërmjet zërit të saj brilant. E quajtur ‘bilbili’ i muzikës, ky emër do të shoqërojë përjetësisht një prej ikonave më frymëzuese të muzikës dhe artit shqiptar. Të jemi mirënjohës, Nexhmije Pagarusha”, -thotë Margariti.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet e tij duke thënë se ëmbëlsia e zërit të saj nuk do të shuhet kurrë.

“Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të bilbilit të këngës shqiptare znj. Nexhmije Pagarusha. Zëri i saj unik më ka shoqëruar që fëmijë, sepse Pagarusha është këngëtarja e preferuar e nënës time, ishte frymëzim dhe gëzim për të, ashtu si për shumë shqiptarë të tjerë në momente të lumtura dhe të vështira.Prehu në paqe Zambaku i Shqiptarisë! Magjia, forca dhe ëmbëlsia e zërit tënd nuk do të shuhen kurrë”,-thotë Basha.

vijon….

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.