Shqipëria dhe Polonia thellim të bashkëpunimit në fushën e arkivave, kinematografisë dhe muzeologjisë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Shqipëria dhe Polonia do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e kulturës.

Kështu u theksua gjatë një takimi të zhvilluar dje në Varshavë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti me ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë kulturore, zv.kryeministër i Polonisë, Piotr Gliński.

“Gjatë këtij takimi patëm mundësi të ndanim interesat tona të përbashkëta dhe të diskutonim mbi fushat ku mund të bashkëpunojmë”, – tha Margariti.

“Polonia është një nga vendet më mbështetëse të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe është e gatshme për të rinovuar marrëveshjen ekzistuese në fushën e kulturës dhe ta konkretizojmë atë në projekte konkrete, në sektorët e arkivave, kinematografisë, bibliotekonomisë, muzeologjisë etj”, – u shpreh Gliński.

Gliński shprehu dëshirën për të dërguar në Shqipëri një grup ekspertësh për të identifikuar nevojat reale dhe fushat ku mund të bashkëpunojmë, për promovimin e kulturës shqiptare në Poloni dhe anasjelltas./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.