“Pakti për Universitetin”/ Universiteti “Aleksandër Moisiu” me laborator për Informatikën dhe Teknologjinë e Informacionit

TIRANE, 6 shkurt/ATSH/- Universiteti “Aleksandër Moisiu” (UAMD) në Durrës tashmë ka një Laborator Multi-Funksional në Fakultetin e Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit. Përmes financimit nga buxheti i Arsimit është themeluar ky laborator që do të mbështesë projektet kërkimore shkencore të stafit akademik dhe rreth 1,800 studentëve të këtij fakulteti.

“Kërkimi shkencor nuk mund të realizohet pa infrastrukturë shkencore. Ndaj, kemi financuar laboratorë kërkimorë në të gjitha universitetet publike”- është shprehur ministrja Shahini në një postim në rrjetin e saj social.

Lindita Mukli, Dekane e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe njëkohësisht koordinatore e këtij projekti, shprehet se “ishte një laborator shumë i domosdoshëm për të qenë pjesë e fakultetit për faktin se duheshin kompjutera të fuqishëm për të punuar me ‘Web Design’, ‘Database’, programime të ndryshme etj. Çdo ide që do të vijë nga studentët apo lektorët do të mund të realizohet aty dhe do të bëhet pjesë e punimeve në këtë laborator”.

Në kuadër të “Paktit për Universitetit”, nga ana e MASR i është dhënë mbështetje financiare jo vetëm krijimit të laboratorit multi-funksional të UAMD, por edhe laboratorëve të shumtë kërkimorë në universitetet e tjera publike në vend.

Ndër universitetet e tjera përfituese në kuadër të financimit të projekteve infrastrukturore të kërkimit shkencor përmendim: Universitetin e Tiranës, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Universitetin e Arteve, Universitetin “Eqerem Çabej” Gjirokastër, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe Universitetin e Mjekësisë Tiranë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.