Paketa Anti KÇK/ Verifikim, jo proces gjyqësor, personat e dënuar ose jo për shkak të sistemit të korruptuar të justifikojnë pasuritë

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi në Uashington se “paketa Anti KÇK nuk mund të bëhej më përpara, sepse nuk kishim Prokurorin e Posaçëm”.

Duke folur në Këshillin e Atlantikut gjatë një vizite në Uashington, Rama u pyet mbi aktin normativ që ka miratuar qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

I pyetur se pse këto përpjekje nuk janë bërë më parë, Rama tha se “është një pyetje shumë e mirë përse jo përpara. Si mund të bëhej kjo përpara, kur nuk kishim Prokurorin e Posaçëm, që lindi përmes procesit të dhimbshëm të Reformës në Drejtësi dhe Vetingut? Si mund të guxonim të shkonim pas aseteve dhe financave të krimit të organizuar? Si mund të imagjinonim të sekuestronim dhe më pas të konfiskonim pasuritë e mbledhura nga aktivitetet e paligjshme, me gjykatat që kishim gjithë këto vite? Gjykatat që kemi pasur gjithë këto vjet dhe që ende kemi, në pjesën më të madhe janë plotësisht të infektuara nga krimi i organizuar. Kemi gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët jo thjesht që bashkëpunojnë me krimin e organizuar, por janë pjesë e krimit të organizuar. Kësisoj na u desh të prisnim me durim momentin në të cilin mund të punonim në një terren ku policia nuk do të poshtërohej kur i referonte çështjet Prokurorisë dhe Gjykatës. Tashmë kemi zyrën e Prokurorisë së Posaçme që është ngritur për këtë qëllim dhe kemi dhe Gjykatën e Posaçme të Krimeve të Rënda. Këto çështje do të gjykohen nga persona që kanë kaluar Vetingun dhe kjo përbën një ndryshim mjaft të madh”.

“E dyta, me ndihmën e miqve tanë amerikanë hartuam një akt ligjor, i ashtuquajtur ‘Ligji për Dekriminalizimin’ për të gjithë ata që duan të zgjidhen. Për të gjitha ata ka një kontroll të imtësishëm të gjithë historisë së jetës së tyre dhe nëse kanë ndonjë lloj dënimi nuk mund të zgjidhen. Ne jemi në vijim të procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe po themi që të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk justifikojnë pasuritë e tyre janë jashtë sistemit, pra do të dalin jashtë sistemit, por po kështu mund t’u nënshtrohen hetimeve dhe padive në të ardhmen”, – theksoi Kreu i Ekzekutivit.

Rama tha se “ajo që po bëjmë tani është e guximshme, por e thjeshtë. Të gjithë ata që janë dënuar, për trafikim të narkotikëve, të qenieve njerëzore, për mafie, financimin e terrorizmit apo për pjesëmarrje në çdo lloj veprimtarie të lidhur me terrorizmin, si dhe vrasja për një sërë krimesh të rënda, duhet të vërtetojnë që shtëpia, biznesi, automjetet, toka, vijnë nga puna dhe jo nga aktivitetet e paligjshme”.

“Është e thjeshtë. Polica duhet thjesht të raportojë bazuar mbi një listë të mbyllur, sepse ka një regjistër të personave të dënuar, sepse të gjithë e dimë se kush janë ata, është një listë e mbyllur, nuk mund të jetë selektive. Nuk është diçka që ti e zgjedh sipas dëshirës. Thjesht është një situatë ku të gjithë duhet të përgjigjen. Policia dërgon një dokument, ku i kërkon subjektit që brenda 48 orëve të plotësojë një formular që ka disa pyetje dhe është Prokuroria e Posaçme që do të duhet t’i shqyrtojë këto dokumente brenda 15 ditëve. Më pas të kërkojë vendim sekuestrimi nga Gjykata e Posaçme brenda 15 ditëve. Këto pasuri sekuestrohen dhe më pas ka një proces të rregullt ligjor që vazhdon jo më gjatë se sa 6 muaj për të vendosur nëse do të konfiskohen apo jo. Ky është procesi”, – u shpreh Rama.

“E njëjta gjë është për bllokun e dytë. Për persona që janë akuzuar për krime të tilla, por që nuk janë dënuar për shkak të sistemit të korruptuar. Edhe një herë, nuk është proces gjyqësor, është thjesht një verifikim administrativ. Për shembull, zotëri ke një standard të caktuar jetese që është i jashtëzakonshëm. Zoti të bekoftë nëse e ke prej punës, e nëse kjo nuk ka të bëjë me veprimtaritë e shkuara kriminale, por duhet ta vërtetosh. Jo shteti, jo policia, jo Prokuroria, ti duhet ta vërtetosh këtë. Nëse nuk e vërteton dot këtë, atëherë kaq ishte”, – tha më tej Kryeministri.

“Ka njerëz që pyesin pse merreni me ata, pse nuk merreni me politikanët? Është shumë e thjeshtë. Nuk është qeveria, nuk jam unë, nuk është policia që duhet të merret me shkeljet e politikanëve. Është sistemi i drejtësisë. Kjo është arsyeja pse ne po reformojmë drejtësinë. Sigurisht do të kërkojë kohë. Do të kërkojë forcën e institucioneve. Por nuk jemi në 1945, falë Zotit. Unë nuk kam pushtetin e 1945 që të ndjek nga pas të gjithë politikanët dhe t’u them keni bërë diçka të gabuar apo të shoh ç’keni bërë. Ne kemi një inspektorat që vlerëson pasurinë e politikanëve dhe ky është institucioni i vlerësimit që kemi deri tani. Por nëse në të ardhmen, politikanët kapen në flagrancë duke bërë diçka të gabuar dhe nëse ata dënohen siç janë dënuar këta njerëz. Sepse këta nuk janë njerëz që ne dyshojmë apo që Policia dyshon se janë kriminelë”, – tha Kreu i Ekzekutivit.

“Natyrisht ka persona që janë në hetim e sipër në Shqipëri apo BE apo SHBA, por nuk janë në këtë listë. Kështu që nuk po flasim për dyshim, flasim për persona të cilët janë dërguar në gjykatë, të dënuar apo të paditur nga Prokuroria”, – theksoi Rama.

“Edhe për partinë është e njëjta gjë. Partia nuk është një vend ku ti bën hetime dhe gjyqe. Partia nuk është vendi ku ti zgjedh se kush do të marrë pjesë. Dhe partia asnjëherë nuk gjykohet nga keqbërja e disa individëve, por gjykohet nga mënyra sesi reagon. Nëse partia bëhet avokate në mbrojtje për të shfajësuar para publikut njerëz, të cilët kanë lidhje me gjëra jo të mira, atëherë kjo përbën problem. Por nuk mund të më thuash një rast të vetëm ku ne nuk jemi distancuar, kur drejtësisë i është dashur të bëjë punën e vet. Ndjesë, por jemi e vetmja parti që e kemi bërë këtë”, – tha Rama.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.