Metodologjia e re e zgjerimit/ Mesi: Stimul pozitiv, që vendi ynë të marrë atë që meriton

TIRANË, 6 shkurt /ATSH-A. Fortuzi/ Nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi, e vlerëson metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian, si një stimul pozitiv, që vendi ynë të marrë atë që meriton. Sipas Mesit, vendi ynë do të çelë negociatat me BE përpara Samitit të Zagrebit.

Gjatë një interviste televizive, Mesi theksoi se, tashmë vendet aspirantë për t’u bërë pjesë e BE-së do kenë më shumë mundësi për të marrë atë që meritojnë, pa u prekur nga diskursi politik.

“Pas tetorit lindi dhe diskursi politik brenda për brenda BE, për të ndryshuar metodologjinë e anëtarësimit në BE, duhet ta shohim si diçka që krijon incentivë më shumë për Shqipërinë dhe për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së. Pra është parë diku gjatë procesit një ngërç dhe metodologjia e re sqaron dhe kërkon të jetë më shumë dinamike dhe transparente me vendet që duan të aderojnë në BE për të vijuar me integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor, që është në interesin e të dyja palëve”, – tha Mesi.

Sipas saj, fokusi i metodologjisë së re është besueshmëria e procesit.

“E kam lexuar më vëmendje metodologjinë e re. E rëndësishme është të ketë një proces të i besueshëm. Nëse BE dhe vendet kandidate kanë dakordësuar mbi disa reforma do prevalojë meritokracia çfarë kanë realizuar ato vende dhe nëse komisioni, sikurse ndodhi për Shqipërinë në vitet 2018-2019, thotë që ka progres dhe reformat kanë nisur dhe po implementohen dhe rekomandon hapjen e negociatave, ky të jetë një proces i besueshëm edhe për vullnetin politik të vendeve, ato që marrin vendimin nga njëra anë dhe ato që presin të marrin dritën jeshile për integrimin nga krahu tjetër”, – theksoi Mesi.

“Gjithashtu kërkohet një proces më dinamik, ku i jepet një rol i rëndësishëm liderëve politik, ku kërkohet më shumë angazhim nga vendet anëtare të BE që do japin vendimin për zgjerimin dhe vendeve kandidate, që presin të vijojnë integrimin drejt BE. Kjo metodologji i jep mundësi liderëve të jenë më të angazhuar drejt zgjerimit, të komunikohet më shumë mes palëve”, – tha Mesi.

“Kjo metodologji e bënë më të afrueshëm dhe dinamik procesin e integrimit. Liderët do të kenë mundësi të diskutojnë më shpesh, dhe vendet kandidate do të kenë një përfshirje më të madhe në diskutime në nivel ministerial mes palëve, si nga vendet e BE ashtu dhe atyre që aspirojnë BE. Për Shqipërinë do të thotë se vendi ynë mund të jetë pjesë e tryezave për diskutimet mbi kapituj të veçantë, sikur të ishim një hap përpara në proces”, – tha Mesi.

“Shumë e rëndësishme është të theksojmë dimensionin politik, se nga dimensioni teknik vendit tonë nuk i ka munguar asgjë. Nga ana e diskutimit teknik, Komisioni ka të njëjtën qasje, që Shqipërisë duhet ti hapen negociatat”, – tha Mesi.

“Bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që do preken nga metodologjia e re. Mali i Zi dhe Serbia ka një opsion për të zgjedhur mes metodologjisë së vjetër dhe kësaj të resë. Dhe secili shtet do ketë mundësi të zgjedh nëse do vijojnë me metodologjinë e vjetër apo të renë, ndërsa vendi ynë dhe Maqedonia e Veriut do vijojmë procesin me metodologjinë e re”, – theksoi Mesi.

“Metodologjia e re ka në fokusin e saj siç edhe thashë më herët besueshmërinë. Nëse Shqipëria dhe BE bien dakord për arritjen e disa objektivave, ka një përgjegjshmëri që nëse realizon ose jo reformat, BE merr përsipër ti përgjigjet me të njëjtën monedhë. Pra, nëse Shqipëria merr përsipër të realizojë “x” reforma dhe Komisioni Europian në vlerësimin teknik se je në rrugën e duhur, i lind e drejta dhe anëtarëve të BE ti japi atë që meriton vendi. Nëse vendi që kërkon të aderojë, premton reforma dhe rezultate konkrete, procesi për integrim do të zgjatet dhe mund të ketë dhe cenim të asistencës teknike dhe financiare. Dhe nuk besoj se ky do jetë problemi i Shqipërisë”, – tha Mesi.

“I vë shtetet në balanca më të barabarta dhe dinamizmi politik mes palëve ka munguar. Ka shumë takime mes Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian dhe sot nuk e kuptojnë dot vendimin e tetorit të shkuar”, – tha Mesi.

“Konferencat në nivel ministrash dhe takime me frekuencë mes liderëve, për shembull me Presidentin e Francës, si vend skeptik për zgjerimin, për të pasur një kuptueshmëri më të mirë mes palëve dhe kjo na jep mundësi që të kuptohen edhe më mirë mes tyre se ku duhet punuar më shumë për të arritur objektivat e përbashkëta”, – shtoi Mesi.

Ajo tha se nga Shqipëria nuk kërkohet asnjë kusht shtesë. “Në lidhje me çfarë kërkohet nga Shqipëria, nuk ka asgjë të shkuar. Thjesht është një qasje ndryshe, që jo për të dytin vit radhazi komisioni thotë ti hapen negociatat Shqipërisë dhe vendimi i liderëve politik për të dytin vit radhazi të thotë jo, por tanimë mundësohet të ketë një konsensus mes të gjitha palëve, që kur Komisioni Rekomandon të thotë të ketë hapje negociatash, atëherë Shqipëria të marrë atë që do dhe Shqipëria ajo që do është hapja e negociatave”, – tha Mesi.

“Ne jemi shumë optimistë që çelja e negociatave të bëhet përpara samitit të Zagrebit. Presidenca e Kroacisë ka objektiv të deklaruar se në gjashtëmujorin e parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të kenë të hapur negociatat”, – tha Mesi.

“Hapja e negociatave nuk është fundi, por është nisja e një pune më të madhe dhe me më shumë dinamikë, pasi do nisë analiza e të gjithë kapitujve radhë më radhë. Hap kapituj, realizon dhe hapet më pas kapitulli tjetër, dhe janë 23 të tillë. Mali i Zi dhe Serbia kanë mbi dhjetë vite që janë në këtë proces. Për sa kohë vendet janë në pritje të hapjes së negociatave janë duke punuar në aspektin teknik për të përafruar legjislacionin, pra duke punuar me kapitujt dhe kjo vjen për arsye se, nëse hapen negociatat, vendet të mos presin 10 vite apo më shumë, por të kenë ecur përpara me punën dhe të jetë një kohë më e shpejt dita e integrimit në BE”, – theksoi Mesi.

“Ndarje mes Maqedonisë së Veriut dhe vendit tonë në rrugën drejt BE nuk do ketë. Kjo u bë e qartë në Samitin e Tetorit dhe hapja e negociatave do bëhet në të njëjtin moment për të dyja vendet. Lidhur me pjesën tjetër, se kur do realizohet, tani në shkurt, apo në mars apo në prill, në momentin që do kemi Samitin e Zagrebit, kjo varet dhe nga diskursi politik. Unë shoh një ecuri pozitive interesin dhe të gjitha vizitat e fundit në Shqipëri, të Sassoli-t, ishte Komisioneri i Integrimit, vizitat e Kryeministrit jo vetëm në BE, por tashmë edhe më tutje, tek aleati ynë strategjik, SHBA, janë të gjitha premisat për hapjen e negociatave”, – theksoi Mesi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.