FOTO-VIDEO – Programi i Rindërtimit/ Fluks aplikimesh online në Durrës, 56 sportele në shërbim të qytetarëve

TIRANË, 6 shkurt/ATSH-Z.Tosku/ Banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës, mund të drejtohen në 56 sportelet e posaçme të ngritura në 11 njësi administrative, për të përfituar nga programi i Rindërtimit përmes aplikimit online.

Referuar të dhënave zyrtare, numri i aplikimeve është trefishuar në dy ditët e fundit.

Deri tani janë kryer 1245 aplikime. Ndërkaq, ditën e djeshme numri i aplikimeve ishte 897, ditën e martë 350 ndërsa ditë e hënë 102.

Ermal Lama, përfaqësues i grupit të punës për programin e Rindërtimit në bashkinë e Durrësit u shpreh për ATSH-në se “në Durrës po punohet me orare të zgjatura ndërsa si numër sportelesh në dispozicion janë 56 të shpërndara si në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale”.

“I gjithë procesi i sistemit elektronik “Shtëpia Ime” është organizuar me 56 sportele në këtë fazë. Po punojmë për shtim kapacitetesh në burime njerëzore dhe vendndodhjet në njësitë administrative të cilat janë 11 njësi. Gjashtë prej tyre janë pjesë e zonës urbane, pjesa tjetër në Ishëm, Manzë, Katund i Ri, Rrashbull dhe Sukth. Dokumentet janë karta e identitetit ose pasaporta e cila shërben për të marrë numrin personal dhe certifikata familjare dhe akti i konstatimit. Sistemi ka tre programe për rindërtimin. Është granti për rindërtimin, është granti për strehimin dhe granti për rikonstruksionin e banesave. Tek granti për rikonstruksionin e banesave klasifikohen godina që e kanë shkallën e dëmtimeve DS1, DS2 dhe DS3. Banesat që kanë shkallë dëmtimi DS4, DS5, qytetarët mund të përfitojnë nga dy grantet të rindërtimit dhe të strehimit”, – tha Lama.

Erion Gjyli, specialist i vendosur në sportelin e hapur në Durrës, për lagjen nr.1 dhe 3 theksoi se një ditë pas hapjes së sportelit, numri i aplikimeve brenda pak orësh, ishte 19.

“Dje jemi trajnuar për të bërë aplikimet online për personat që janë dëmtuar nga tërmeti. Kemi arritur në 19 numri i aplikimeve. Puna po vazhdon normalisht. Për këto aplikime kërkojmë që personi të kenë me vete certifikatë pronësie”, – u shpreh Gjyli.

Serdi Maksuti, specialist pranë sportelit të hapur në njësinë administrative Rrashbull të Durrësit,  deri në pak orë kishte kryer 18 aplikime për zonën që mbulon kjo pikë. Ai u bëri apel banorëve që të paraqiten pranë sportelit për të kryer aplikimin online, sportele që qëndrojnë të hapura nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 6 të pasdites.

“Sot unë kam kryer 18 aplikime. Fluksi më i madh është në mëngjes. Besoj se në ditët në vazhdim ne do të kemi një fluks më të madh në mënyrë që të ezaurojmë sa më shpejt për shkak se afati është deri më 28. Ne po punojmë nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 pasdite. U bëj apel qytetarëve që të paraqite në zyra. Sportelet janë në dispozicionin tuaj”, – tha Maksuti.

Qytetarët që paraqiten në sportel, duhet të jenë të pajisur me mjetin e identifikimit dhe certifikatën e pronësisë, ndërkohë që certifikata familjare mund të gjenerohet në moment nga një punonjëse e zyrës civile që ndodhet në sportel.

Dokumentet bazë për aplikimin janë karta e identitetit ose pasaporta, e cila shërben për të marrë numrin personal, dokumenti i pronësisë, certifikata familjare dhe akti i konstatimit, Këto dy të fundit i kanë specialistët e sporteleve. /z.tosku/a.fortuzi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.