David McAllister: Metodologjia e re hap shtegun për nisjen e negociatave me Shqipërinë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europia, David McAllister, deklaroi se metodologjia e re për negociatat me Bashkimin Europian rrit shanset për anëtarësim për ato vende që punojnë fort dhe shënojnë progres.

Në një intervistë për Euronews Albania në Bruksel lidhur me pritshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas metodologjisë së re për negociatat me BE-në, McAllister tha se “kjo metodologji zgjerimi e rishikuar përbën një hap madhor përpara për të sjellë Francën dhe vendet e tjera në tryezën e vendimit, me shpresën se tani është hapur shtegu për të nisur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë këtë vit”.

Kreu i Komisionit të Jashtëm të PS-së, McAllister tha se “nuk besoj se procesi është më i vështirë. Ne si Bashkim Europian e kemi thënë gjithnjë, që të bëhesh vend anëtar është sigurisht punë e rëndë, një proces i bazuar në merita dhe ata që bëjnë më shumë, marrin më shumë e ata që bëjnë më pak, marrin më pak. Kështu që unë besoj se kjo metodologji me grupe mund, në fakt, ta shpejtojë procesin e anëtarësimit për ato vende të cilat punojnë dhe përpiqen vërtet fort”.

I pyetur përse duhet të paguajë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut kur metodologjia nuk është detyruese për të tjerët, McAllister u shpreh se “qasja është që nuk duhen ndryshuar rregullat, që nuk duhen ndryshuar postet dhe pozicionimet kur loja ka nisur. Ne kemi këto rregulla të reja, të cilat janë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia dhe Mali i Zi mund të zgjedhin nëse duan apo jo t’i përdorin këto rregulla, të cilat janë kryesisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tashmë. Unë mendoj se të dyja vendet duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë që po ju japim dhe tani e dinë se çfarë i pret”.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.