Çuçi: Brenda 2020 do ndërtohen të gjitha shtëpitë në zonat rurale

TIRANË, 6 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ministri i Plotfuqishëm për Menaxhimin e Emergjencave Civile, Bledi Çuçi tha sot se brenda vitit 2020 do të ndërtohen të gjitha shtëpitë në zonat rurale.

Në një intervistë televizive Çuçi u shpreh se “ne kemi bërë një verifikim apo konstatim të 50 mijë banesave në tre qarqet e prekura nga tërmeti, ku këtu përfshihen 100% të banesave me dëmtime të rënda dhe 80% të banesave që kanë edhe dëmtime të lehta. Pra është një statistikë shumë solide për të ardhur në konkluzion për të nxjerrë faturën. 17 mijë persona vlerësohet të jenë shpërngulur nga shtëpitë e tyre”.

“Sigurisht që jetesën e cenon çdo fatkeqësi natyrore, por duke nisur nga fakti që nga vëzhgimi ka dalë që shumica e banesave që janë dëmtuar, sidomos në zonat rurale, janë banesa para ’93, ne mund të arrijmë në konkluzionin se janë dëmtuar familje që kanë të ardhura të ulta, poshtë mesatares, sepse logjikisht nuk kanë pasur mundësi që për 30 vite të ndërtojnë një ndërtesë të re”, – tha ai.

Çuçi tha se “i gjithë dëmi i shkaktuar mund të rikuperohet në 5 vitet e ardhshme, ku në planin afatshkurtër parashikohet rindërtimi i shtëpive brenda 2020 në zonat rurale, plani afatmesëm 3 vite, dhe afatgjati është 5 vite, sepse rimëkëmbja nuk është thjesht ndërtimi i një ndërtese, por qëllimi i ekonomisë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.