BRUKSEL – BE bën thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj civilëve në Idlib

BRUKSEL, 6 shkurt /ATSH-AA/ – Bashkimi Europian bëri thirrje për ndalimin e të gjitha sulmeve kundër civilëve në qytetin Idlib të Sirisë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic, në një deklaratë  lidhur me situatën aktuale në qytetin Idlib të Sirisë, janë shprehur se i bëjnë thirrje të gjitha palëve që të hedhin hapat e nevojshëm për lehtësimin e dërgesave të ndihmave humanitare dhe gjithashtu kërkuan që të zbatohen ligjet ndërkombëtare kryesisht në mbrojtjen e civilëve.

“Me intensifikimin e operacioneve ushtarake në Idlib janë vrarë qindra civilë”, theksohet në deklaratë, ku nënvizohet se sulmet kanë patur në objektivin e tyre rajonet me civilë, spitalet dhe qendrat ku strehohen njerëz të zhvendosur nga vendet e tyre.

Në deklaratë përmendet se vetëm në dy muajt e fundit janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre rreth 500 mijë persona dhe se këta persona për shkak të kushteve të vështira të motit kanë mungesë për strehim, ushqime dhe shërbime shëndetësore./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.