TURQI – Erdogan: Asadi të largohet nga pikat turke të vëzhgimit në Idlib

ANKARA, 5 shkurt /ATSH-AA/ – Regjimi i Asadit duhet të tërhiqet këtë muaj nga pikat e vëzhgimit të Turqisë në veriperëndim të Sirisë ose Turqia do të detyrohet ta kryejë vetë këtë çështje, theksoi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Nëse regjimi sirian nuk do të tërhiqet nga pikat tona vëzhgimit në Idlib brenda muajit shkurt, Turqia do të jetë e detyruar ta bëjë vetë këtë “, deklaroi Erdogan në takimin e grupit parlamentar të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti).

“Forcat ajrore dhe tokësore të Turqisë do të lëvizin lirshëm në të gjitha zonat e operacioneve (në Siri) dhe në Idlib, dhe do të kryejnë operacione nëse është e nevojshme”, shtoi ai.

Presidenti turk theksoi se regjimi sirian po shkel armëpushimet e arritura në Idlib, duke përmendur sulmin e së hënës nga i cili humbën jetën shtatë ushtarë turq.

Erdogan shtoi se çdo sulm ndaj ushtarëve turq ose aleatëve të tyre do të përballet me hakmarrje, pa asnjë paralajmërim, pavarësisht nga burimi i sulmit.

Presidenti turk, Erdogan nënvizoi gjithashtu se pritshmëria e vetme nga Rusia është ta kuptojë më mirë ndjeshmërinë e Turqisë në Siri.

Sulmi i së hënës nga regjimi sirian në veriperëndim të Sirisë shkaktoi vdekjen e shtatë ushtarë turq dhe të një kontraktuesi civil që punonte me ushtrinë turke. Po ashtu në këtë sulm u plagosën 13 persona të tjerë.

Në shenjë hakmarrjeje për sulmin, Turqia goditi mbi 50 shënjestra dhe vrau 76 trupa të regjimit sirian.

Që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2011, Idlibi ka qenë një bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura anti-qeveritare./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.