Preken nga ndërtimi i veprave publike në Tiranë dhe Urën Vajgurore, qeveria shpronëson pronarët

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban dhe sistemimi i sheshit në fshatin Donofrosë, Njësia Administrative Cukalat”, bashkia Ura Vajgurore.

Vendimi thekson se shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Ura Vajgurore.

Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “ndërtesë + truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 51 935 (pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 51 935 (pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i bashkisë Ura Vajgurore.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë bashkisë Ura Vajgurore.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me bashkinë Ura Vajgurore, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, bashkia Ura Vajgurore, për pasurinë e shpronësuar.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkia Ura Vajgurore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Këshilli i Ministrave gjithashtu vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës “Isuf Balta”, Tiranë”.

Vendimi thekson se, shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë Tiranë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “truall”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 51 306 408 (pesëdhjetë e një milionë e treqind e gjashtë mijë e katërqind e tetë) lekësh.

Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare”.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasurinë e llojit “truall”, me vlerë 51 306 408 (pesëdhjetë e një milionë e treqind e gjashtë mijë e katërqind e tetë) lekë, do të përballohet nga fondet e bashkisë Tiranë.

Shpenzimet procedurale në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë do të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa shpenzimet procedurale në vlerën 1 557 508 (një milion e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e tetë) lekë, për publikim në organet e shtypit, do të përballohen nga subjekti kërkues, bashkia Tiranë.

Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë bashkisë Tiranë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkia Tiranë edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.