Metodologjia e re e zgjerimit/ KE: Hapje të negociatave për Shqipërinë para samitit të Zagrebit

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Komisioni Europian mbështet hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para samitit të Zagrebit.

Kështu deklaroi sot eurokomisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, në debatet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së.

“Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë progres dhe do të përpiqemi të dalim me një qëndrim të shpejtë brenda këtij muaji. Përpara samitit të Zagrebit ne do të fokusohemi te përparimi i reformave ekonomike, që ato të përputhen me nivelet tona të tregjeve”, – tha Várhelyi.

Eurokomisioneri Várhelyi theksoi se “së bashku ne duhet të vendosim se çfarë masash konkrete duhet të marrim për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e tregjeve të tyre dhe hapjen e vendeve te punës”.

“E rëndësishme është që reformat të plotësohen përpara se kapitulli tjetër të hapet,
por gjithsesi ky proces nga mbyllja e një kapitulli e deri tek hapja e një tjetri duhet të kufizohet me një vit. BE duhet t’i përcaktojë më qartë prioritetet dhe të vlerësojë përparimet dhe natyrisht të shikojë ecurinë e tyre. Nëse nuk ka përparim, duhet të merren masa. Kjo do të ndihmojë që t’i japë më shumë kohë vendeve të kenë një ecuri graduale në reformat ekonomike sidomos në tregun europian”, – theksoi Várhelyi.

Sipas tij, natyrisht do shikohen me vëmendje nëse po ecin para, po rrinë në vend apo po bëjnë hapa pas.

“Do të merren masa, nëse ne shohim që ka hapa pas në reformat që kërkohen”, tha ai.

“Duke u fokusuar tek shteti i të drejtës dhe ekonomia këto reforma duhet të kenë më shumë impakt ekonomik sidomos duke krijuar vende të reja pune, duke rritur cilësinë e jetës së qytetarëve të vendeve të rajonit. Kjo ndodh vetëm nëse rruga e reformave mbështetet, por edhe përshpejtohet. Për pasojë ne kemi zgjeruar këtë metodologji bazuar në katër pika. E para, besueshmëria, pra ky proces duhet të bazohet tek besimi i ndërsjelltë, natyrisht vendet e BP duhet të japin rezultate, por edhe ne duhet t’i pranojmë rezultatet sidomos ato për shtetin e së drejtës”, – tha Várhelyi.

Eurokomisioneri Várhelyi u shpreh se “kështu i japim zgjidhje edhe shqetësimeve të qytetarëve. Së dyti, pjesa e lirive dhe të drejtave të njeriut kërkon së pari një administratë të fortë, më pas është një vlerësim i procesit sipas meritës. Pra nëse këto japin rezultate, atëherë edhe vendet duhet të japin dakordësinë për të vazhduar më tej”.

“Momenti tjetër është edhe përfshirja politike pasi duhet të ketë me shumë përfshirje nga të dy palët, edhe nga vendet anëtare edhe nga Ballkani Perëndimor dhe kjo do të pasqyrohet nëpërmjet takimeve mes BE dhe këtyre vendeve edhe ne nivel ministerial më të shpeshtë. BE do të mbështesë reformat”, – nënvizoi ai.

Pika e tretë ka të bëjë me një proces më dinamik dhe kjo është ndarja e 35 kapitujve në 6 grupe kapitujsh duke i marrë me radhë etapat sipas fushave deri tek e fundit, që është marrëdhëniet me jashtë.

“Këta kapituj, që mund të quhen tranzitorë, do t’i japin më shumë mundësi këtyre vendeve të përshtaten me politikat e BE-së. Ky proces tashmë i jep mundësi vendeve të punojnë edhe me secilin nga kapitujt e grupuara në këto 6 grupe”, – tha Várhelyi./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.