“Kontrolli post-legjislativ në Europë”/ Hysi: Me rëndësi ndikimi i ligjeve në shoqëri

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ – U zhvillua në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë takimi i tretë i Rrjetit të Komisioneve për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Ballkanin Perëndimor (HUGEN) me mbështetjen e Fondacionit për Demokraci Westminster (WFD).

Pjesëmarrës në aktivitetin që pati si objekt kryesor shkëmbimin e eksperiencave lidhur me kontrollin post-legjislativ në Evropë-praktikat dhe metodologjitë më të mira, ishin përfaqësues nga parlamentet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje- Hercegovinës.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi mbajti një fjalë  përshëndetëse në emër të Kuvendit në nisje të takimit, gjatë së cilës theksoi  rëndësinë e kontrollit post-parlamentar jo vetëm për të parë se si zbatohen ligjet që miratohen nga legjislativi,  por mbi të gjitha për të parë ndikimin që kanë ato në shoqëri.

“Është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet tona që kërkojnë të integrohen në Bashkimin Europian, për të hartuar ligje të mira, për të monitoruar qeveritë, për të pasur një qeverisje më të mirë, institucione funksionale demokratike, një shoqëri shumë të mirë, por mbi të gjitha ne duhet të kontrollojmë një ligj që ka të paktën 3 vite që ka hyrë në fuqi, çfarë ndikimi ka pasur në shoqëri; a i ka arritur pritshmëritë, objektivat me të cilat propozuesi e ka sjellë apo jo? Pikërisht ky takim i sotshëm, synon të rrisë kapacitete tona se si ne mund të kontrollojmë më mirë legjislacionet që ne kemi miratuar, jo thjesht për të parë mangësitë që ka një ligj, por për të kuptuar ndikimin që ka ai ligj në shoqëri, në nevojat për përmirësimin e përmbajtjes së tij  apo të zbatimit të tij nga institucionet”, theksoi Hysi.

Më tej bëri të ditur se në këtë fazë çdo parlament ka përzgjedhur një ligj të miratuar për të bërë kontrollin e zbatimit dhe efekteve të tij në shoqëri dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka përzgjedhur ligjin “Për barazinë  gjinore”, një ligj i miratuar dhe i mbetur i pandryshuar që nga viti 2008.

Në takim përshëndetën Nada Drobnjak, Kryetare e Komisionit për Barazinë Gjinore në Parlamentin e Malit të Zi dhe Kryetare Informale e Rrjetit HUGEN, si dhe Ivan Radojevic,  përfaqësuesi i Fondacionit për Demokraci Westminster.  Në takim u prezantua dokumenti i ri studiues i shqyrtimit post- legjislativ dhe aktivitetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga Franklin De Vrieze, Këshilltar i Lartë për Qeverisje, WFD.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.