FOTO/ OSHEE 170 milionë lekë për rrjetin energjetik në Librazhd/ Balla: Nuk ishte vënë dorë që në vitin 1967

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Një investim me vlerë 170 milionë lekë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në fiderat 3 dhe 6 të cilat furnizojnë qytetin e Librazhdit dhe disa fshatra, i ka dhënë fund problemeve për sa i përket furnizimit me energji në këtë zonë.

Linja ishte ndërtuar në vitin 1967 dhe që atëherë nuk ishte vënë dorë.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla së bashku me administratorin e përgjithshëm të OSHEE, Adrian Çela inspektuan sot situatën e rrjetit të shpërndarjes në Librazhd.

“Që kur ka nisur reforma, OSHEE ka investuar në Librazhd rreth 400 milionë lekë të reja. Investimi i fundit të cilin po inspektojmë sot kap vlerën rreth 170 milionë lekë të reja. Ky investim përfshin rikonstruksionin e dy fiderave 3 dhe 6 që furnizojnë qytetin e Librazhdit, zonat përreth si dhe fshatrat Stëblevë, Lunik, Qarrishtë etj.”, – tha Çela.

Balla vuri në dukje se prej një viti e gjysmë në zonat malore të qarkut të Elbasanit po investohet për zëvendësimin e linjave të vjetra e të amortizuara, duke ndikuar në uljen e mundësive për defekte dhe në minimizimin e humbjeve në rrjet:

“Së bashku me Administratorin e Përgjithshëm të OSHEE sot jemi në disa zona të qarkut të Elbasanit për të monitoruar nga afër situatën e krijuar nga moti i keq, por edhe për të inspektuar këtë investim të rëndësishëm të kryer nga OSHEE. Janë disa investime të kryera nga OSHEE të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike sidomos në zonat malore ku moti i keq sjell edhe pasoja në këtë drejtim. Për sa i përket kësaj linje, ajo është e ndërtuar në vitin 1967 dhe që atëherë nuk është vënë dorë”, tha Balla.

Ai shtoi se prej më shumë se një viti ne kemi investuar për të zëvendësuar linjat e vjetra dhe për të garantuar furnizim pa ndërprerje.

Balla dhe Çela ishin gjithashtu në disa zona të Librazhdit e Përrenjasit të cilat për shkak të kushteve të motit kanë pasur probleme në furnizimin me energji elektrike në 24-orëshin e fundit.

“Për sa i përket motit të keq janë ngritur grupet e punës në të gjithë territorin e vendit. Janë rreth 1500 punonjës në terren të cilët po punojnë për riparimin e defekteve. Koha e rekuperimit ndikohet edhe nga kushtet atmosferike. Ne do të vazhdojmë të jemi në gatishmëri, nuk mund të sigurojmë që s’do të ketë defekte, por sigurojmë që do të punohet për riparimin sa më shpejt të tyre”, – tha Administratori i OSHEE.

Janë rreth 400 milionë lekë të reja të investuara nga OSHEE në zonën e Librazhdit vitet e fundit, për shkak të terrenit shumë të vështirë me zona malore të cilat gjatë dimrit përballen me probleme në furnizimin me energji elektrike. Në këto zona nuk ishte investuar prej më shumë se 50 vitesh. Për shkak të erërave të forta përcjellësi i linjës 110 kV 116/2 Elbasan-Librazhd është këputur sot dhe po vijon puna për riparimin nga repartet e OST.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.