Dëmet nga tërmeti/ Çuçi: Brenda vitit 2020 shtëpi të re për të gjithë personat që jetojnë në zona rurale

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Brenda vitit 2020 do të bëhen me shtëpi të re të gjithë personat që jetojnë në zona rurale dhe jetojnë nëpër çadra, deklaroi sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe ministër i Plotfuqishëm për Menaxhimin e Emergjencave Civile, Bledi Çuçi.

Ministri Çuçi u shpreh sot në një intervistë televizive se, “për njerëzit që jetojnë në zonat rurale që janë në çadra ne kemi bërë një premtim që brenda 2020 ato do të hynë në shtëpi të reja. Ndërsa për pjesën tjetër, pra zonën urbane, ajo kërkon një kohë më të gjatë, kështu që brenda 2021 padiskutim”.

Qeveria shqiptare publikoi sot raportin përfundimtar për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Dëmet llogariten në 985 milionë euro, ndërsa për rimëkëmbjen duhen 1,076 miliardë euro.

“Ky raport është bërë në bashkëpunim dhe sipas një metodologjie të ngritur të BE, të agjencive të OKB dhe BB. Është një dokument dhe një metodologji që përdoret tashmë prej shumë vitesh nga këto tri organizata për fatkeqësi në të gjithë botën. Kemi angazhuar më shumë se 60 ekspertë, shumica të huaj, të sektorëve të ndryshëm me të cilët merret raporti dhe që kanë punuar në bërjen dhe përgatitjen e raporteve të ngjashme të kësaj natyre në të gjithë botën ku ka pasur fatkeqësi dhe mendoj që është një nga dokumentet më seriozë sot që ka dhe ka pasur ndonjëherë qeveria shqiptare për të dokumentuar, për të nxjerrë një vlerë të dëmeve për një fatkeqësi të përmasave kaq të mëdha, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit”, – tha Çuçi.

Sipas tij, “këto janë raporte që janë orientuese për qeveritë dhe për këdo që do të kontribuojë në rikuperimin e dëmeve që ka sjellë tërmeti në Shqipëri dhe duke parë se çfarë instrumentesh janë përdorur për të nxjerrë besoj se është një nga PDNA-të, se kështu quhen pra (Post Disaster Need Assesment Report), më të mira që janë prodhuar”.

“Në Konferencën e Donatorëve ne paraqesim të detajuar këtë faturë sipas sektorëve, ashtu siç është përgatitur raporti dhe padyshim partnerë të ndryshëm, donatorë të ndryshëm që duan të kontribuojnë i kanë aty dhe mund të shprehin vullnetin që të kontribuojnë në një sektor të caktuar”, – tha ai.

“Unë mendoj që duke parë të gjithë përpjekjet dhe angazhimet që po bëjmë për të pasur sa më shumë mobilizim fondesh dhe për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë besoj se do të jetë një konferencë e suksesshme. Mbetet gjithmonë për t’u parë data 17 do ta tregojë. Sidomos pas ditës së sotme pritshmëritë do të fillojnë në një farë mënyrë të marrin formë më realiste, sepse nga sot ka një dokument solid, ka një faturë konkrete dhe të gjithë ata që duan të kontribuojnë kanë mundësi”, – u shpreh Çuçi.

“Edhe fondet e fondacioneve të grumbulluara do të jenë pjesë e këtij grupi. Kemi rënë dakord padiskutim. Ne kemi ngritur një Komitet që është një instrument që merret me menaxhimin e të gjithë fondeve që vijnë edhe nga donacione të brendshme për tërmetin që të koordinojmë çdo mjet financiar që vihet në dispozicion nga çdo kush. Kemi rënë dakord që të kemi një regjim të përbashkët të gjithë këtyre fondeve”, – shtoi Çuçi.

Sa i përket familjeve të prekur, Çuçi theksoi se, “sa vjen e stabilizohet situata. Shumica është me qira. Janë zbrazur hotelet. Njerëzit po përfitojnë bonuset e qirasë. Janë akoma rreth 10 mijë persona që jetojnë në çadra dhe këto janë në fshatra, të cilët kanë preferuar të rrinë vet aty për shkak se duan të rrinë afër tokës, banesës dhe nuk duan të largohen. Janë të gjitha çadra dimërore, nuk ka asnjë çadër verore. Ata janë përfitues të bonusit të qirasë gjithashtu. Është dëshira e tyre. Ata s’kanë pranuar të shkonin as në hotel”.

I pyetur mbi numrin e shtëpive që duhen ribërë Çuçi tha se, “nuk ka ende një numër të saktë për këtë sepse kemi shkatërruar disa godina, pallate sipas shkallës së dëmit. Jemi rreth 11 mijë ndërtesa, sepse janë dhe banesa dhe pallate, të cilët kategorizohen si dëmtime shumë të rënda. Për t’u marrë vetëm me këto ne kemi filluar një proces të verifikimit të imtësishëm dhe grupe inxhinierësh të licencuar tashmë do të bëjnë akte ekspertimi të mirëfillta dhe do të marrin vendime nëse është për t’u prishur një ndërtesë se nuk mund të rregullohet më dhe duhet të rindërtohet nga e para, apo mund të ribëhet në ato kushte që ishte sigurisht me shpenzime që kërkojnë diçka më shumë se një meremetim normal”.

I pyetur në lidhje me 500 shtëpitë e premtuara nga Turqia, ministri Çuçi  u shpreh se, “Po punohet me intensitet për këtë çështje sigurisht aty kërkohet planifikim urban për atë mini-zonë që do të bëhet. Është thjeshtë procedurë krejt normale që ti duhet të bësh një planifikim të zonës dhe më pas të fillosh të ndërtosh më pas”.

I pyetur se kur pritet të mbarojë e gjithë rimëkëmbja nga tërmeti, Çuçi shtoi se, “tek raporti i sotëm afati më i gjatë është pesë vite, ne mendojmë tre vite. Jo për njerëz, sepse prek shumë sektorë, është ekonomi, prandaj duhet ta shihni me shumë imtësi raportin, që ta kuptoni se çfarë përmase ka dëmi që ka shkaktuar tërmeti. Sa i takon njerëzve, njerëzit që jetojnë në zonat rurale që janë në çadra ne kemi bërë një premtim që brenda 2020 ato do të hynë në shtëpi të reja. Ndërsa për pjesën tjetër, pra zonën urbane ajo kërkon një kohë më të gjatë, kështu që brenda 2021, padiskutim”.

Nga tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, ku si pasojë humbën jetën 51 persona, qindra të tjerë u plagosën, ndërsa mijëra shtëpi u dëmtuan. Në ato momente të vështira që u gjend vendi ynë shumë shtete u solidarizuan duke ofruar ndihmën e tyre. Teksa në 17 shkurt në Bruksel pritet të mbahet Konferenca e Donatorëve për të mbështetur Shqipërinë për të kaluar pasojat e kësaj fatkeqësie.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.