Balla: KE rikonfirmon vlerësimin për Shqipërinë, gati të fillojë menjëherë bisedimet për anëtarësim

TIRANE, 5 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaron se “sot Komisioni Europian, përmes Metodologjisë së re të Zgjerimit, na ofroi ne vendeve të Ballkanit Perëndimor një plan të besueshëm dhe të bazuar në meritën individuale të secilit prej gjashtë vendeve tona”.

“Komisioni Europian rikonfirmoi sot vlerësimin e qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për të filluar menjëherë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian”, shprehet Balla lidhur me propozimet e publikuara sot nga Komisioni Europian.

Metodologjia e re e Zgjerimit, thekson Balla, zgjidh gjithashtu edhe hezitimin e tetorit të shkuar të ndonjë prej vendeve anëtare të BE, pozicioni i të cilave divergjoi mbi shpejtësinë dhe axhendën e procesit.

“Është tashmë në kredibilitetin e BE, që Këshilli Europian i fundmarsit të miratojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është e domosdoshme gjithashtu që Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina të progresojnë nga kandidate potenciale, në vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian”, thekson Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.