Në gjashtë bashki pilot po zbatohen planet e integritetit në qeverisjen vendore

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Dy instrumente të rëndësishëm që ndihmojnë parandalimin e korrupsionit dhe përmirësojnë integritetin në qeverisjen vendore: Metodologjia e Vlerësimit të Riskut të Integritetit dhe Kodi Standard i Sjelljes për Qeverisjen Vendore, u prezantuan sot në Tiranë në kuadër të Javës së Integritetit.

Këto dy produkte janë realizuar nga qeveria shqiptare dhe projekti i Konsolidimit të Reformës Territoriale dhe Administrative.

Në takim, ku ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Limya Eltayeb, përfaqësues nga 61 bashkitë e vendit, ekspertë të çështjeve antikorrupsion, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, u prezantua edhe përvoja e hartimit të planeve të integritetit në gjashtë bashkitë pilot: Elbasan, Patos, Durrës, Mallakastër, Mat dhe Gjirokastër.

Të pranishmit u njohën me metodologjinë e ndjekur për të vlerësuar risqet e integritetit në 7 fushat e veprimtarisë së qeverisjes vendore: menaxhimi financiar, burimet njerëzore, shërbimet publike, administrimit dhe menaxhimit të pronës, planifikimit, administrimit dhe zhvillimit të territorit, kontrollit, auditit dhe mekanizmave kundër korrupsionit, arkivimit, ruajtjes dhe administrimit të dokumenteve dhe informacionit, si dhe masat specifike dhe burimet e nevojshme për realizimin e planit të integritetit.

Këto instrumente pritet të ndikojnë në reduktimin e rrezikut të korrupsionit dhe sjelljeve joetike në nivel vendor duke forcuar demokracinë, llogaridhënien dhe duke përmirësuar transparencën e bashkive. Kjo qasje rekomandohet të shtrihet më gjerë si në institucionet vendore, ashtu dhe në ato qendrore, si masë efektive në luftën kundër korrupsionit.

“Ne kemi kënaqësinë të ndajmë me ju sot praktikën e suksesshme të Metodologjisë së Vlerësimit të Riskut të Integritetit për qeverisjen vendore në Shqipëri dhe të pilotimit të Planeve të Integritetit në 6 bashkitë e para. UNDP (STAR2) në partneritet të ngushtë me IDM, përshtati Metodologjinë e Vlerësimit të Riskut të Integritetit për Qeverisjen Vendore në Shqipëri, si një mjet për të identifikuar integritetin dhe rreziqet e korrupsionit. Që në gjenezë metodologjia u konsultua gjerësisht me palët e interesuara, ku rëndësi thelbësore iu kushtua bashkëpunimit me përfaqësues nga pushteti vendor. Partnerët kryesorë në hartimin e kësaj metodologjie ishin Ministria e Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit, të cilët miratuan dokumentin përfundimtar së bashku me Kodin Standard të Sjelljes për Qeverisjen Vendore,” tha Limya Eltayeb në fjalën e saj.

Projekti i Konsolidimit të Reformës Territoriale dhe Administrative punon për të forcuar kapacitetet institucionale dhe administrative të 61 bashkive të Shqipërisë; rritjen e efikasitetit të tyre në ofrimin e shërbimeve vendore dhe rritjen e demokracisë vendore. STAR 2 mbështetet nga shumë partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit përmes një mekanizmi të përbashkët financimi, ku përfshihen: Bashkimin Europian, qeveritë e Suedisë, Italisë, Zvicrës dhe USAID, UNDP dhe Qeverisë së Shqipërisë. Projekti zbatohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me UNDP.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.