Lufta kundër kancerit/ Vokshi: Qytetarët të bëjnë të gjitha ekzaminimet për parandalimin e kësaj sëmundje

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Në Ditën Botërore Kundër Tumoreve Partia Demokratike organizoi sot një marshim për ndërgjegjësimin qytetar në luftën kundër kancerit.

PD iu bashkua nismës së Unionit Ndërkombëtar për Kontrollin e Kancerit, e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, theksoi se “ky marshim bëhet sepse shifrat në Shqipëri janë më shumë se alarmante, 20 raste të reja në ditë, të evidentuara vitin e kaluar me tumore ose 7 mijë raste të reja në një vit, duke përmendur këtu një shifër akoma më shumë frikësuese, që shërueshmëria e kësaj sëmundje në Shqipëri është vetëm 20-25%; në një kohë kur në Angli është 65-70% apo në Itali që është edhe vendi i parë në Europë shkon edhe 85-90% për lloje të ndryshme kanceri”.

“Ndaj ne jemi sot këtu dhe ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen në këtë marshim sensibilizues për të vetëdijësuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të bërë të gjitha ekzaminimet e duhura, në mënyrë që të parandalojnë këtë sëmundje”, theksoi Vokshi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.