Kryetarët e tre bashkive/ Balla: Presidenti të dekretojë datën e zgjedhjeve

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një deklaratë për media pas mbledhjes me delegacionin e KiE, u shpreh se, “reformimi dhe autonomia e pushtetit vendor, ka bërë që të shtohen më shumë shërbimet ndaj qytetarit, sepse vëmendja e qeverisë është për njerëzit dhe ofrimin e sa më shumë shërbimeve për ta”.

Balla tha se, “reforma e vitit 2015 ka qenë një hap i rëndësishëm historik, jo vetëm në aspektin e forcimit të pushtetit vendor. Fakti që nga 384 njësi të qeverisjes vendore shkuam në 61, ka përmirësuar kapacitetet dhe shërbimet ndaj qytetarëve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në këtë drejtim”.

“Padyshim pjesë e këtij diskutimi, – vijoi ai, – ka qenë edhe fakti që Presidenti i Republikës për tre bashki, për të cilat, mandati i kryetarëve të bashkisë ka mbaruar, shpresojmë që në një moment të duhur, qoftë për bashkinë Shkodër, të Durrësit dhe të Vorës, bazuar edhe në parashikimet ligjore të përcaktojë brenda kohës së mundshme”. “Kujtoj këtu, – tha ai, – që për sa i takon bashkisë Vorë dhe Durrës jemi në kushtet e emergjencës civile dhe sapo emergjenca civile të ketë përfunduar, Presidenti i Republikës të ketë dekretuar datën për tre bashkitë”.

Balla tha se, kongresi është pjesë shumë e respektuar e KiE, ku ne jemi anëtarë të saj dhe një prej institucioneve të tjera të KiE që është Komisioni i Venecias, ka dhënë një përgjigje  shteruese lidhur me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e 30 qershorit. “Pra për sa i takon Këshillit të Europës dhe partnerëve të Shqipërisë, 30 qershori është një datë kushtetuese, zgjedhjet e 30 qershorit janë po aq kushtetuese dhe të gjitha organet e dala prej tyre janë ligjore dhe vijojnë punën e tyre me një mandat 4-vjeçar që përfundon në vitin 2023″, – deklaroi ai.

Shqetësimi ynë ka qenë që qytetarëve të Shkodrës, Durrësit dhe Vorës t’u japim mundësinë që përmes votës së tyre të kenë një kryetar legjitim. Sepse ju e dini, në Shkodër kryetarja e bashkisë është përtej mandatit 4-vjeçar që ka qenë një prej argumenteve të periodicitetit të zgjedhjeve të përdorur nga Komisioni i Venecias dhe që është shterues”, – theksoi Balla.

Ai tha se, “zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri janë në qershor të vitit 2021. Zgjedhjet vendore në qershor të vitit 2023. Nuk kemi diskutuar për këtë çështje”. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.