Hajdari: Lufta ndaj korrupsionit të përfshijë edhe ndikimin e krimit brenda partive politike

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ “Lufta kundër korrupsionit është mjaft e rëndësishme, pasi fenomeni prek aspekte të arsimit, shëndetësisë dhe veprimtarisë publike të një vendi, duke ndikuar në jetët e njerëzve të thjeshtë dhe me të ardhura të pakta”, deklaroi sot kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Rudina Hajdari në aktivitetin e mbajtur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Hajdari vlerësoi nevojën për një shoqëri të re, që ngrihet mbi vlerat e qasjes antikorrupsion e që mbështetet nga institucione të forta, që veprojnë përmes integritetit dhe transparencës.

Sipas saj, fenomeni i korrupsionit, ngadalëson dhe vështirëson proceset integruese vendit.

Kryetarja e Këshillit të Integrimit shtoi gjithashtu se është e rëndësishme që lufta ndaj korrupsionit të përfshijë edhe ndikimin e krimit brenda partive politike.

Ajo kërkoi më shumë angazhim të Kuvendit për luftën e koordinuar ndaj fenomenit, paçka se veçoi rolin pozitiv të opozitës parlamentare për miratimin e ligjeve të rëndësishme, çuarjen përpara të reformave të rëndësishme për vendin, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ngritjen e SPAK-ut dhe pragformimit të BKH-së.

Hajdari shprehu shqetësimin për perceptimin në rritje të shkallës së korrupsionit, duke iu referuar të dhënave të raportit të matjes së shkallës së perceptimit të korrupsionit, nga “Transparency International”.

Deputetja Hajdari ngriti shqetësimin e mungesës së investimeve të huaja, si pasojë e perceptimit të lartë të korrupsionit në vend. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.