Tirana e Shkupi me qendra kulturore dhe informative të përbashkëta, marrëveshja miratohet në Kuvend me 100 vota pro

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ – Nën drejtimin e Kryetarit, Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare. Seanca nisi me katër interpelanca urgjente, të kërkuar nga disa deputetë. E para ishte ajo e kërkuar nga deputeti i opozitës Artur Roshi, të cilit iu përgjigj ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, lidhur me situatën e sigurisë dhe rendit në vend. Më pas u vijua me interpelancën me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e kërkuar nga shtatë deputetë të opozitës lidhur me situatën në sistemin e burgjeve.

Seanca vijoi me interpelancën e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e kërkuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,  Taulant Balla. Ministrja Manastirliu dha shpjegime lidhur me planin e masave që janë ndërmarrë nga qeveria për të identifikuar dhe parandaluar çdo lloj rasti me koronavirus.

Më tej, seanca vijoi me  interpelancë  e kërkuar nga një grup deputetësh me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, lidhur me situatën e fondit pyjor në vend.

Gjatë punimeve të sotme plenare, deputetët u përshëndetën nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, i cili shprehu kënaqësinë e të qenit prezent në shtëpinë e demokracisë së shqiptarëve. Presidenti Sassoli theksoi në fjalën e tij rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor, rëndësinë e mbështetjes në vlera të bashkëjetesës dhe demokracisë dhe të përkrahjes dhe integrimit të të rinjve shqiptarë me ata të Bashkimit Europian.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e pesë projektligjeve. Projektligji “Për pranimin e instrumentit të amendamentit të Kushtetutës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986”, i cili u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e Konventës së Minamatës “Për mërkurin”, i cili u miratua në tërësi me 100 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u miratua me 96 vota pro, 2 vota kundër dhe 2 abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare “Për parandalimin e ndotjeve nga anijet, 1973”, të ndryshuar me protokollin e vitit 1978 (MARPOL 73/78)”,u miratua me 95 vota pro, 1 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit të gjashtë shtesë të marrëveshjes për Forcën Shumëkombëshe të Paqes në Evropën Juglindore”, u miratua me 98 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.

Në përfundim të punimeve, u njoftua nga kryetari i seancës miratimi me konsensus në Konferencën e Kryetarëve, i kalendarit të punimeve për periudhën në vijim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.