Sassoli takim me Ruçin: Shqipëria, e bashkuar rreth perspektivës europiane

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua sot me Presidentin e Parlamentit Europian,  David Sassoli, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim merrnin pjesë edhe Kryetari i GP të Partisë Socialiste Taulant Balla, kryetarja e GP Demokrat Rudina Hajdari dhe Kryetari i GP të Pavarur, Nimet Musai.

Kryetari Ruçi i shprehu Presidentit Sassoli mirënjohjen për vizionin dhe mbështetjen e fuqishme të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Në saj të këtij vizioni dhe të këtij qëndrimi, Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë, gjatë presidencës kroate, bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria drejt destinacionit të saj europian ka vetëm një plan A. Asnjë plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen. Shqiptarët dhe të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës për vlerësimin që u bëni atyre si bashkëmbartës të vlerave europiane, qytetëruese e perëndimore”-, nënvizoi kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ruçi e informoi Presidentin Sassoli edhe mbi tre objektivat kryesorë prioritarë të Kuvendit: zbatimin e Planit të Veprimit për integrimin europian, në reflektim të rekomandimeve të Komisionit Europian dhe Këshillit Europian, kurorëzimin me sukses të reformës në drejtësi si edhe përfundimin e reformës zgjedhore.

“Në Shqipëri gjeta një vend të bashkuar rreth perspektivës europiane dhe këtë mesazh do ta përcjell në Bruksel. Jam shumë i kënaqur që politika, institucionet dhe shoqëria civile nuk janë dekurajuar, por rikonfirmuan vazhdimin e përpjekjeve për integrimin europian. Uniteti dhe kohezioni në perspektivën europiane është themelore për shpejtimin e hapave të integrimit. Vazhdoni dialogun dhe punoni për shpejtimin dhe thellimin e reformave afatgjata. Sinjalet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pozitive”-, vuri në dukje Presidenti Sassoli.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.