Paketa Anti KÇK/ Balla: Asnjë shkelje kushtetuese, modeli i aplikuar edhe në vende të tjera

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në seancën plenare të së hënës deklaroi se në operacionin “Forca e Ligjit”, pjesë e paketës “Anti KÇK”, nuk ka asnjë shkelje kushtetuese apo e të drejtave të njeriut.

Duke iu referuar opozitës brenda parlamentit, Balla tha se ka qenë qasja ndaj Reformës në Drejtësi, çka ka bërë edhe dallimin me opozitën jashtëparlamentare.

“Në asnjë nen të saj nuk keni për të gjetur shkelje kushtetuese, asnjë shkelje e të drejtave të njeriut, edhe pse këta maskarenjtë që vijnë nga bota e krimit të organizuar kanë 30 vjet që i nxijnë faqen këtij vendi e që kanë vënë pasuri pafund dhe këto pasuri duhen verifikuar, e përveç këtyre pasurive të vëna nga aktivitete kriminale është e mirë dhe e domosdoshme që të sekuestrohen, dhe në përfundim të një hetimi tejet të plotë të konfiskohen, e që këto para jo vetëm të shkojnë për forcimin e të ardhurave në dispozicion të investimeve më të mëdha edhe për Policinë e Shtetit, por pse jo, të shkojnë edhe për të ndikuar sadopak në buxhetin e rindërtimit për të gjitha familjet që sot janë pa shtëpi, për shkak të tërmetit të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit. Unë e mirëkuptoj Lulzim Bashën që po qan sot e të gjithë ditën, dje e të gjithë ditën, sepse qeveria e drejtuar nga Edi Rama, në betejë pa kompromis me krimin e organizuar paska miratuar një akt normativ dhe Luli nuk e do. Por ju jo, sepse ajo që ju ka ndarë ju me Lulin të paktën këto kohë është qasja juaj për implementimin e plotë pa asnjë mëdyshje të Reformës në Drejtësi. Të paktën për këtë, unë si kryetar i grupit të shumicës, ju jam mirënjohës dhe do ta them gjithmonë që dallimi juaj me ish-opozitën e vjetër është qasja ndaj Reformës në Drejtësi. Ju e keni mbështetur, pjesa juaj më e madhe”, – deklaroi Balla.

Më tej, ai ftoi opozitën brenda parlamentit për të bashkëpunuar në vijim të Reformës në Drejtësi.

“Në këtë frymë do të doja t’ju ftoja për të mbyllur procedurën normale parlamentare përmes shqyrtimit të komisionit, ne do ta ratifikojmë këtë akt normativ. Ky është një akt normativ që ka një kohëzgjatje më pak se 11-mujore, pra deri në 31.12.2020 e përgjatë këtij procesi ne duhet t’ia nxijmë jetën të gjithë atyre që bëjnë të fortin e lagjes në komunitete dhe që me paratë e ardhura nga bota e krimit, kanë pasuri të cilat nuk i justifikojnë. Nuk është një gjetje ‘alla shqiptarçe’, nuk është se po shpikim ne rrotën në këtë qasje, por është një model që e kanë bërë edhe vende të tjera. Italia shumë vite më parë, sepse kjo ndërthuret me akte që ne i kemi. Ligjin për pasuritë, ligjin antimafia ne e kemi miratuar prej shumë vitesh dhe sigurisht që të gjitha këto konvergohen me njëra-tjetrën, për të krijuar një kuadër ligjor të plotë”, tha ai.

“Kush hyn në veprimtarinë e parashikuar për grupet e strukturuara kriminale të organizuara është subjekt i SPAK. 48 orë ka Policia, 15 ditë SPAK-u dhe 15 ditë gjykata. Ku është shkelja? Dalin juristët e mëdhenj të Lulzimit dhe bëjnë histori që këtu po shkelen të drejtat. Të drejtat e kujt? Që të ketë opozitë në një vend të botës, që të dalë e të thotë që po shkelen të drejtat e krimit të organizuar, kjo vetëvrasje më të madhe politike nëse doni nuk ka”, – u shpreh Balla. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.