Llatja/ “Muri i Gjelbër”, më pak ndotje dhe më shumë gjelbërim në qytet

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka organizuar një takim me administratorë të bizneseve, të cilët ushtrojnë aktivitet në ambjentet e ish-Kombinatit Metalurgjik, por jo vetëm.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë prezantimi i projektit “Muri i Gjelbër”, projekt i cili është hartuar nga bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Prefekturën, Këshillin e Qarkut por edhe institucione të tjera në Elbasan.

“Muri i Gjelbër” është një projekt i cili ka disa muaj që ka nisur të implementohet në Elbasan, dhe konsiton në mbjelljen e sa më shumë pemëve, me qëllim rivitalizimin e të gjithë zonës së Bradasheshit, ku edhe ndodhet ish-Kombinati Metalurgjik.

Kreu i bashkisë Gledian Llatja pasi ka falenderuar të pranishmit, ka prezantuar saktë qëllimin e këtij projekti shumë frytdhënës jo vetëm për njësinë administrative të Bradasheshit dhe të gjithë zonën ku ndodhet zona industriale, por edhe për të gjithë territorin e Elbasanit.

“Muri i Gjelbër” është një projekt ambicioz pasi do të krijojë një barrierë për mbrojtjen e qytetit nga zona industriale, me qëllim që të kemi një ambient sa më të pastër dhe të gjelbëruar. Ky projekt është një prioritetet që ne si insitucion do të kemi brenda katër viteve”, tha Llatja. Andaj, shtoi ai “kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë bizneseve në qytetin tonë”.

Projekti në fjalë është një nga fokuset e bashkisë së Elbasanit dhe në veçanti i kreut të bashkisë Gledian Llatja për pastrimin e ajrit në qytet. Aktualisht bashkia ka mbjellë fidanë dhe rrape në zona ku edhe ka pasur rrëshqitje masive, por edhe në pyje, të cilat u rrezikuan nga zjarret kohët e fundit. Për këtë arsye një nga objektivat e bashkisë është mbjellja e pemëve gjatë të gjithë vitit.

Për të arritur zbatimin e këtij projekti në vijim, Llatja ka kërkuar bashkëpunimin e bizneseve me qëllim që ky projekt të ecë përpara pasi është në të mirë të qytetit dhe të qytetarëve. Projektin “Muri i Gjelbër” e kanë përshëndetur edhe kreu i Qarkut, si edhe Prefekti i Elbasanit të cilët kanë kërkuar nga bizneset një sensibilizim serioz pasi sipas tyre “gjithëpërfshirja në këtë projekt do t’i shërbejë të gjithëve për pasur një qytet të bukur dhe të pastër jo vetëm në zonën e Bradasheshit, por edhe në të gjithë territorin e Elbasanit”.

“Muri i Gjelbër” do t’i japë një zhvillim të madh jo vetëm turizimit, por edhe biznesit, ndërsa do të ketë një impakt në pastrimin e mjedisit. Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë së ajrit të qytetit të Elbasanit pasi do të ulë ndjeshëm ndotjen. Për këtë qëllim ndërgjegjësimi i bizneseve do ta rigjenerojë shumë këtë zonë.

Këta të fundit kanë shprehur mbështetjen e tyre duke kontribuar në këtë projekt të ndërmarrë nga bashkia Elbasan dhe jo vetëm. /m.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.