Kurti: Sot pushtetin dhe shtetin e ka fituar populli, i takonte dhe do t’i takojë përherë

PRISHTINË, 3 shkurt /ATSH/ Në fjalën e tij të parë pasi ka marrë postin e kryeministrit, Albin Kurti tha se sot po hapet një kapitull i ri në Republikën e Kosovës. Ai tha se sot nuk kanë fituar Vetëvendosja e LDK-ja, por kanë fituar qytetarët.

Tashmë kryeministër i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se pushtetin dhe shtetin e ka fituar populli, sepse sipas tij, atij i takonte, atij i takon dhe do t’i takojë përherë.

“Ne jemi pasardhësit e Skënderbeut, të Fan Nolit e të Hasan Prishtinës, të Ukshin Hotit, të Azem Bejtës e të Adem Jasharit, prandaj edhe nuk na rrinë, e nuk na ka hije korrupsioni, sepse ata nuk vodhën e nuk u pasuruan kurrë në emër të popullit. Prandaj, nuk na rrinë padrejtësia, sepse ata dhanë jetën që ne të jetojmë një shtet të lirë e të drejtë. Prandaj, edhe nuk na rrinë paaftësia e injoranca, sepse ata rrezikuan e sakrifikuan gjithçka që ne të kemi gjuhën dhe shkollat dhe dijet. Prandaj, sot nuk ka fituar LVV dhe nuk ka fituar LDK, sot kanë fituar qytetarët, të cilët sa herë që janë përballur me padrejtësitë, janë ngritur në këmbë, sepse ne jemi popull kryengritës, jemi popull që nuk nënshtrohemi, jemi popull që nuk përulemi. Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli, sepse atij i takonte, atij i takon dhe do t’i takojë përherë. Ne të gjithë jemi vetëm se kalimtarë dhe shërbëtor që punojmë e veprojmë në emër të popullit e për popullin. Ne të gjithë jemi të zëvendësueshëm, por populli mbetet i përhershëm, prandaj kontributi i secilit nga ne duhet të matet me atë se sa i japim popullit, e jo sa i marrim atij”, – tha ai.

Kryeministri Kurti është zotuar se do të japë maksimumin e aftësive dhe kapaciteteve të tij për të mirën e gjithë qytetarëve. Ai tha se do të jetë kryeministër i të gjithëve dhe se do ta dëgjojë zërin e qytetarëve.

“Unë zotohem këtu para jush që do të jap maksimumin e aftësive dhe kapacitetit tim për të mirën e gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim. Nga sot pavarësisht se si e kënd keni votuar, unë do të jem kryeministër i të gjithë juve dhe do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi, sepse ne mund të kemi qëndrime e mendime të ndryshme, por ndajmë ëndrra e të ardhme të përbashkët. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme për të sjell ndryshimin, që të gjithë e kemi pritur e që vendi ynë ka nevojë. Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë përmes klientelizmit, favoreve, e monopolit dhe fillon një etapë e re e qeverisjes me integritet e me dinjitet. Unë ftoj të gjithë punonjësit në secilin institucion publik, që të përqafojnë shtetin e së drejtës, të distancohen e ta denoncojnë korrupsionin, të sfidojnë të korruptuarit e shkelësit e ligjit, sepse nga sot ka një lidership të ri, i cili konsideron aleat të gjithë ata që kujdesen për pasurinë publike, por që do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit”, – tha ai.

Kurti tha se sot fillon një kapitull i ri edhe në politikën e jashtme, ku tha se fillon koha kur të gjithë flasin me një zë dhe të koordinuar.

“Sot fillon një kapitull i ri i politikës së jashtme, politika jonë e jashtme duhet të jetë unike. Koha kur brenda qeverisë dërgohen mesazhe të ndryshme mbaron sot dhe fillon koha kur flasim me një zë dhe të koordinuar. Atyre që njohin dhe respektojnë vendin tonë, ne u themi se do të fuqizojmë bashkëpunimin dhe partneritetin. Atyre që hezitojnë të na njohin, ne u themi se do të punojmë që të fitojmë njohjen dhe respektin tuaj. Atyre që mohojnë të drejtën tonë dhe që synojnë të na pushtojnë nga jashtë e të na ndajnë nga brenda unë, u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe koha kur interesat e personave ishin mbi interesat e shtetit ka mbaruar. Kosova është vend i pavarur dhe sovran, kjo është premisa e çdo dialogu dhe epilogu, e çdo marrëveshje. Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në Bashkimin Europian e në NATO, avancimin e bashkëpunimit, afrimin e integrimin me Shqipërinë dhe ta ruajmë e ta kultivojmë aleancën e partneritetin me SHBA-të. Ka shumë nga ata që janë ankuar se po flasim shumë, prandaj nga sot do të flasim më pak e do të punojmë më shumë”, tha kryeministri Kurti.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 66 vota pro dhe 10 abstenime, ndërsa në kohën kur po votohej qeveria, opozita është larguar nga salla. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.